Vjen reagimi – FFK dënon dhunën ndaj Stivi Frashërit, kërkon që autorët të vihen para drejtësisë
Pas incidentit në Gjilan, ku futbolli kosovar u shëmtua me skena dhune e ndërprerje të ndeshjes, FFK ka reaguar përmes faqes së saj zyrtare.

Sport
Shtëpia më e madhe e futbollit në Kosovë, FFK ka reaguar për incidentin në Gjilan, duke dënuar dhunën ndaj Stivi Frashërit, si dhe duke kërkuar që autorët të vihen para drejtësisë.
FFK konsideron se sjelljet që u panë sot në Gjilan i kanë vënë njollë të zezë futbollit kosovar.
Më poshtë mund ta shihni të plotë reagimin e FFK.
Federata e Futbollit e Kosovës e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në fundin e ndeshjes së javës së 27-të të BKT Superligës, Gjilani – Ballkani, që u zhvillua në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.
FFK ndjehet e shqetësuar me incidentin e ndodhur, teksa i dëshiron shërim të shpejtë portierit Stivi Frashëri.
Kërkojmë nga organet e rendit që të marrin masa të mënjëhershme ndaj personave të tillë të dhunshëm, që me veprimet e tyre po i vendosin njollë të zezë futbollit tonë.
Njëherësh i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të veprojë sa më parë për t’i vënë para drejtësisë personat që shkaktuan dhunë ndaj portierit Stivi Frashëri.
Po ashtu, kërkojmë edhe nga klubet organizim dhe menaxhim më të mirë të ndeshjeve, pasi është e papranueshme që imazhi i futbolli kosovar dhe i vet klubeve të dëmtohet nga disa individë të papërgjegjshëm dhe të dhunshëm.
FFK kërkon edhe nga komisionet e saj që ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë incident, derisa nga të gjithë dashamirët e futbollit kërkojmë distancim nga veprimet e tilla të dhunshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën më të popullarizuar në botë. /Lajmi.net/