Vjen paralajmërimi i frikshëm nga Sazan Ibrahimi: Tatimi në pronë për bizneset mund të rritet mbi 200%

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të tatimit në pronë për pronat komerciale, si pasojë e zbatimit të shkallës progresive të paraparë me ligjin aktual. Sipas tij, faturat për disa biznese mund të shumëfishohen, duke rrezikuar likuiditetin dhe investimet. “Tatimi në pronë për pronat komerciale mund…

Lajme

13/12/2025 21:42

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të tatimit në pronë për pronat komerciale, si pasojë e zbatimit të shkallës progresive të paraparë me ligjin aktual.

Sipas tij, faturat për disa biznese mund të shumëfishohen, duke rrezikuar likuiditetin dhe investimet.

“Tatimi në pronë për pronat komerciale mund të shënojë rritje drastike vitin e ardhshëm, në disa raste mbi 200 për qind”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ai thekson se kjo rritje nuk ka të bëjë me pronat banesore, por ekskluzivisht me pronat që përdoren për veprimtari ekonomike.

“Po flasim për prona komerciale dhe për biznese. Me zbatimin e plotë të shkallës progresive të tatimit në pronë, faturat për disa biznese mund të rriten shumëfish, në disa raste edhe mbi 200 për qind”, ka thënë Ibrahimi, për IndeksOnline.

Sipas tij, rritja e tatimit në pronë përbën kosto të drejtpërdrejtë për bizneset prodhuese, tregtare dhe shërbyese, duke ndikuar negativisht në likuiditet, në mundësinë për investime të reja dhe, potencialisht, edhe në vendet e punës apo çmimet për konsumatorët.

Ai ka dhënë edhe shembuj konkretë për të ilustruar ndikimin. Ibrahimi parasheh që një pronë komerciale me vlerë rreth 7 milionë euro, nga rreth 11–12 mijë euro tatim këtë vit, mund të përballet me faturë mbi 26 mijë euro në vit. Për një pronë me vlerë rreth 20 milionë euro, tatimi mund të rritet nga rreth 34 mijë euro në mbi 90 mijë euro. Ndërsa për prona komerciale me vlerë rreth 50 milionë euro, fatura vjetore mund të arrijë mbi 240 mijë euro.

“Këto janë shuma shumë serioze për çdo biznes, e sidomos për ato që operojnë në kushte të vështira ekonomike”, shtoi ai.

Sipas Ibrahimit, ndonëse bizneset po e adresojnë shqetësimin tek komunat, shkalla progresive e tatimit buron nga ligji i miratuar në nivel qendror, e jo nga vendimet komunale. Ai thotë se komunat nuk kanë qenë të konsultuara gjatë hartimit të këtij ligji, çka ka nxitur reagime të vazhdueshme nga AKK-ja.

“Bordi i AKK-së prej vitesh ka kërkuar amandamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronë. Qëndrimi i shumicës së kryetarëve të komunave është i qartë: tatimi duhet të jetë më i përballueshëm për qytetarët dhe bizneset, duke marrë parasysh realitetin ekonomik në Kosovë”, ka theksuar ai.

Rritja e tatimit ishte paraparë të hynte në fuqi në vitin 2025, por zbatimi i saj është pezulluar përmes Ligjit të Buxhetit 2025, me qëllim që të hapet rruga për ndryshime ligjore. Megjithatë, sipas Ibrahimit, procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mosfunksionimit të institucioneve qendrore.

Si zgjidhje afatshkurtër, ai përmend mundësinë ligjore që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të shtyjë lëshimin e faturave të tatimit në pronë deri më 31 mars të vitit që po vjen.

“Kjo do të krijonte hapësirë për analiza serioze të ndikimit ekonomik dhe për konsultim të plotë me komunat dhe bizneset”, ka thënë Ibrahimi, duke bërë thirrje për veprime konkrete nga niveli qendror.