Vjehrri e vjehrra nuk lejuan nusen ti shohë fëmijët, e fiton të drejtën në gjykatë
Kumrije Kadolli pasi që humbi të shoqin në një aksident komunikacioni, sipas traditës doli nga shtëpia e bashkëshortit duke ua lënë dy fëmijët e mitur prindërve të burrit. Ajo nuk e lejua më pas t’i shohë fëmijët e saj, por këtë të drejtë e fitoi të premten pas procesit gjyqësor.
Lajme
Kur lëshoi shtëpinë e burrit, Kadolli ishte marrë vesh me vjehrrën dhe vjehrrin që t’i vizitojë shpesh fëmijët e saj që ua la atyre nën përkujdesje.
Por kontakti me fëmijët më pas iu ndalua, ndërsa kjo e detyroi që t’i padisë në Gjykatën Themelore të Prizrenit-Dega në Suharekë prindërit e ish-bashkëshortit.
Padia kishte të bënte me ruajtje, besim dhe kontakt me fëmijët, por i padituri, ish-vjehrri i Kadollit, Zymer Sopa, nuk pranonte që ajo t’i takonte pa praninë e tij fëmijët e saj.
Kjo e revoltoi shumë Naim Qelajn, avokatin e Kadollit.
“Nëse gjyshërit vazhdojnë në këtë mënyrë, duke mos lejuar takimin e fëmijëve me nënën e tyre, ne do të kërkojmë që fëmijët të merren nga gjyshërit dhe t’i besohen nënës, pasi këta po ndikojnë keq të fëmijët, duke ndjellë urrejtje te nëna e tyre”, tha avokati Qelaj.
Kjo deklaratë e avokatit duket sikur zbuti qëndrimin e të paditurit, pasi Zymer Sopa pranoi që nëna të mund t’i shohë fëmijët pa praninë e tij.
Gjykatësi Shaban Zeqiraj, ia sqaroi disa herë të paditurit, se kontaktin me fëmijët nënës së tyre nuk mund të ia ndalojë askush, e këtë nuk mund ta bësh as ti, pasi fëmijët duhet të takohen vetëm me nënën e tyre.
Pas mbarimit të polemikave, gjykata shpalli vendimin.
“Kontakti i nënës me fëmijët të bëhet dy herë në muaj dhe atë nga dy orë, në lokalet e Qendrës për Punë Sociale në Suharekë, pa prezencën e gjyshërve në takim. Takimi duhet të mbahet vetëm mes nënës dhe fëmijëve, në prezencën e punëtorit Social”, thuhet në vendim. (kallxo.com)