Vjedhje e rëndë në Gjilan: Shtetasi i huaj raporton humbjen e arit dhe parave – i dyshuari thotë se kishte leje të përdorte kartelën bankare
Një rast i vjedhjes së rëndë dhe keqpërdorimit të besimit është raportuar në Policinë e Kosovës nga një shtetas i huaj që banon në Gjilan. Viktima, një mashkull, ka raportuar më 1 korrik 2025 se gjatë periudhës 20–30 qershor, nga banesa e tij janë vjedhur stoli ari, para të gatshme dhe është bërë tërheqje nga…

Lajme
Një rast i vjedhjes së rëndë dhe keqpërdorimit të besimit është raportuar në Policinë e Kosovës nga një shtetas i huaj që banon në Gjilan. Viktima, një mashkull, ka raportuar më 1 korrik 2025 se gjatë periudhës 20–30 qershor, nga banesa e tij janë vjedhur stoli ari, para të gatshme dhe është bërë tërheqje nga llogaria e tij bankare pa autorizim.
I dyshuari, një mashkull kosovar, është identifikuar dhe intervistuar nga Policia. Gjatë kontrollit ndaj tij, autoritetet kanë sekuestruar një shumë parash të gatshme të tërhequra nga banka, të shoqëruara me kupon si dëshmi, si dhe kartelën bankare të viktimës, transmeton lajmi.net
Interesant në këtë rast është se i dyshuari ka deklaruar se e kishte kartelën me pëlqimin e viktimës dhe se posedon një dokument të noterizuar për mbikëqyrje, që sipas tij e autorizon për përdorim të saj.
Pas konsultimeve me Prokurorinë, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës në Gjilan./lajmi.net/