Vizita e Vuçiq në Moskë është sinjal i gabuar, thotë Komisioni Evropian
Vizita e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë më 9 maj përfaqëson sinjalin e gabuar dhe nuk është vendi për të treguar mbështetje për paqen. Komisionarja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos tha se marrëdhëniet me regjimin e Vladimir Putin nuk mund të jenë të njëjta si më parë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.…

Lajme
Vizita e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë më 9 maj përfaqëson sinjalin e gabuar dhe nuk është vendi për të treguar mbështetje për paqen.
Komisionarja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos tha se marrëdhëniet me regjimin e Vladimir Putin nuk mund të jenë të njëjta si më parë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.
“Bashkimi Evropian ka dërguar një mesazh shumë të qartë për të gjithë partnerët, përfshirë vendet kandidate si Serbia: nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me regjimin e Putin, ndërkohë që agresioni i tij i paprovokuar dhe i pajustifikuar kundër Ukrainës vazhdon. Moska nuk është një vend për të treguar mbështetje për paqen,” tha shërbimi për shtyp i Komisionit për televizionin N1.
Komisioni Evropian thekson se i vjen keq për pjesëmarrjen e lidershipit serb në festimet e Ditës së Fitores në Moskë, pasi Rusia po e shfrytëzon këtë ditë për propagandë, raporton KosovaPress.
Brukseli thotë gjithashtu se pret që Serbia të “dëshmojë bindshëm orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian dhe të tregojë qartë përkushtimin e saj ndaj vlerave evropiane.
I pyetur nga N1 nëse Serbia do të hapë së shpejti një grup të ri në negociatat me BE-në, siç njoftoi Vuçiq, Komisioni u përgjigj se vendimet specifike merren nga shtetet anëtare, por reformat janë parakusht për progres në procesin e anëtarësimit.
“Procesi i anëtarësimit kërkon progres të dukshëm dhe bindës, por edhe angazhim të gjithë shoqërisë. Duhet të jetë një projekt kombëtar”, thonë ata në një përgjigje për N1, duke theksuar se reformat që Serbia duhet të zbatojë përfshijnë luftën kundër korrupsionit, një gjyqësor të pavarur, liritë e mediave, kushte më të mira zgjedhore dhe luftën kundër dezinformimit.
Lidhur me letrën e dërguar nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë për komisionaren Kos, Komisioni Evropian konfirmon për televizionin N1, se është pranuar, por jo nëse i është përgjigjur.