Vizita e Gazmend Hoxhës në veri me admiralin Wikoff dhe Vergorin, Policia: U vlerësua bashkëpunimi për mbikëqyrjen e brezit kufitar
Policia e Kosovës ka njoftuar për vizitën e përbashkët që pati drejtori i këtij institucioni, Gazmend Hoxha, në veri të vendit me së bashku me admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, Roberto Vergori, komandant i KFOR-it. Policia tha se dje ata…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar për vizitën e përbashkët që pati drejtori i këtij institucioni, Gazmend Hoxha, në veri të vendit me së bashku me admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, Roberto Vergori, komandant i KFOR-it.
Policia tha se dje ata kanë vizituar njësitë policore kufitare dhe patrullat e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në pjesën veriore të vendit.
“Vizita kishte për qëllim vlerësimin nga afër të angazhimeve të përbashkëta në mbikëqyrjen e brezit kufitar, përkatësisht të vijës së gjelbër dhe vijës së kaltër, si dhe të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive përkatëse në përmbushjen e detyrave të tyre”.
Policia tha se gjatë vizitës u vlerësua “bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, me theks të veçantë në rëndësinë e patrullimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit në terren, në funksion të mbikëqyrjes kufitare dhe forcimit të sigurisë”.
Në njoftim u tha se palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, garantimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe në forcimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës”.