Vizat vështirësojnë importin e mallit nga Bosnja

Eksportuesit e Bosnje dhe Hercegovinës po ankohen se u janë rritur shpenzimet për transportin e mallit në Kosovë, pasi futjes së regjimit të vizave. Ata thonë se detyrohen të gjejnë rrugë alternative, duke angazhuar kompani të shteteve që kanë pranuar Kosovën.

Lajme

13/02/2014 20:18

Eksportuesit nga Bosnja e Hercegovina presin që regjimi i vizave për Kosovë do të t’i kushtojë me shpenzime shtesë dhe të forcojë konkurrencën.

Firma të këtij shteti do të detyrohen të angazhojnë kompani transportit nga vende tjera të cilat e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që shoferëve të mos ju nevojiten vizat.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme kishte publikuar vendimin për futjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës.

Kompani transportuese nga Bosnja kanë thënë për Aljazeera Balkans se me këtë veprim të politikës së jashtme të Kosovës do të detyrohen të zvogëlojnë vende të punës.

Njëri nga eksportuesit më të mëdhenj nga Bosnja për në Kosovë, AS Grupaciaj, e cilëson regjimin e vizave humbje të madhe.

“Kur është në pyetje eksporti në Kosovë, deri më tani ka qenë e vështirë pasi që blerësit nga Kosova nuk kanë mundur të vijnë te ne. Ndërsa, tani e tutje, duhet që edhe ne t’i nënshtrohemi procedurës për marrjen e vizave”, ka thënë Adis Hasakovic nga kompania Conten Management e cila punon në promovimin e AS Grupacije.

Ai shtoi se regjimi i vizave për Kosovën do t’i shtojë shpenzimet, pasi që duhet aplikuar për vizë.

Pasi që Kosova e Bosnja e Hercegovina nuk kanë marrëdhënie ndërshtetërore, qytetarët boshnjakë duhet të aplikojnë për viza në Ambasadën e Kosovës në Tiranë. Shpenzimet për një vizë arrijnë shumën prej 40 euro.