Vitia: Pas renovimit, Klinika e Kardiologjisë do të ketë kushte optimale për pacientët dhe stafin

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia ka marrë pjesë në përurimin e renovimeve që janë bërë në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai është shprehur i lumtur që këto renovime tashmë kanë mbaruar. “Kemi filluar me renovimin e Njësisë Gjysmë-Intensive e cila poashtu do të mbaroj gjatë këtij…

Lajme

22/04/2026 11:03

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia ka marrë pjesë në përurimin e renovimeve që janë bërë në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai është shprehur i lumtur që këto renovime tashmë kanë mbaruar.

“Kemi filluar me renovimin e Njësisë Gjysmë-Intensive e cila poashtu do të mbaroj gjatë këtij viti për të vazhduar pastaj edhe me katin e dytë ku gjenden pacientët kronikë të Kardiologjisë dhe në këtë mënyrë po i jepem vëmendjen e duhur një nga klinikave më të rëndësishme në sistemin tonë shëndetësor, Klinikës së Kardiologjisë. Pjesa më e madhe e sëmundjeve dhe vdekjeve të pacientëve në Kosovë ashtu si edhe në botë është nga sëmundjet kardiovaskulare”, ka thënë Vitia.

Ai ka thënë se kjo Klinikë pas renovimit do të shtoj numrin e atyre që diagnostikohen dhe trajtohen në këtë Klinikë, ndërsa ka falënderuar mjekët dhe infermierët për punën e tyre.

“Jam shumë i lumtur këtu që mund të falenderoj nga zemra stafin e Klinikës së Kardiologjisë, drejtorinë e kësaj Klinike dr. Faik Shatri që kanë qenë motori dhe nismëtarët që në bashkëpunim me miqtë tanë nga Luksemburgu të fillojmë këtë renovim dhe ta përmbyllim atë. Klinika e Kardiologjisë pas renovimit do të ketë kushte optimale për pacientët duke shtuar numrin e atyre që diagnostikohen dhe trajtohen në këtë Klinikë, duke përmirësuar kushtet e trajtimit në këtë Klinikë dhe duke përmirësuar edhe kushtet e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetët të cilët pa pushim japin shërbime çdo orë të çdo dite për 365 ditë pacientëve e qytetarëve tonë”, ka shtuar Vitia. /Lajmi.net/