Vitia e Obiliqi përfitojnë financim projektesh nga MIT

Komuna e Vitisë dhe Obiliqit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për financim të projekteve lokale me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT).

Lajme

13/03/2019 16:53

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, të mërkurën pas takimeve të ndara me kryetarët e komunave të Vitisë dhe Obiliqit, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për financim të projekteve lokale me këto komuna, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftim, komuna e Vitisë për vitin 2019 nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ka përfituar shumën prej 116 mijë e 500 euro, për fillimin e realizimit të dy projekteve lokale. Kreut të kësaj komune, Sokol Haliti, nga ministri Lekaj iu kumtua edhe lajmi se puna për kyçjen e Gërlicës në autostradën “Arbën Xhaferi” do të fillojë në qershor.

Ndërsa komunës së Obiliqit, MIT i ka ndarë mjetet financiare në vlerë prej 100 mijë eurove për asfaltimin e rrugës “Haxhi Ali Qerkezi”, për të cilën komuna do të paguaj edhe 95 mijë euro.

Ministri Lekaj e njoftoi kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashi, se për këtë vit në këtë komunë nga MIT do të fillojë edhe renovimi i tri rrugëve regjionale, “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini” dhe “Llapi”.

Ministri Pal Lekaj, u premtoi krerëve komunal të Vitisë e Obiliqit, përkrahje të vazhdueshme dhe i njoftoi ata se për këto projekte janë bërë planifikimet buxhetore deri në përfundimin e plotë të tyre edhe për vitet që pasojnë.

Të parët e komunave nënshkruese duke shprehur falënderim të veçantë për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të ministrit dhe dikasterit që ai drejton, u zotuan se projektet e mbështetura nga MIT do të realizohen sipas afateve të parapara dhe me cilësi ashtu çfarë kërkohet me specifikat e projekteve të kësaj natyre.​ /Lajmi.net/