Viti 2025 | Banorët e fshatit Koliq që 6 ditë pa rrymë, KEDS thotë se i ka angazhuar ekipet teknike
Jemi në vitin 2025, por në Kosovë ende qytetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Banorët e fshatit Koliq nga data 2 tetor janë pa energji elektrike, shkruan lajmi.net. Në një email drejtuar lajmi.net, Xhevahire Beqiri nga fshati Koliq ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar se kur do të rikthehet furnizimi…

Lajme
Jemi në vitin 2025, por në Kosovë ende qytetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Banorët e fshatit Koliq nga data 2 tetor janë pa energji elektrike, shkruan lajmi.net.
Në një email drejtuar lajmi.net, Xhevahire Beqiri nga fshati Koliq ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar se kur do të rikthehet furnizimi me rrymë.
“Prej shumë vitesh kemi dërguar ankesa dhe njoftime të rregullta në adresë të KEDS-it për ndërprerjet e shpeshta të rrymës, por fatkeqësisht nuk kemi marrë asnjë zgjidhje konkrete. Përveç ndërprerjeve të shpeshta, shpesh kemi edhe luhatje të tensionit, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pajisje shtëpiake dhe objekte banimi. Që nga data 2 tetor, fshati ynë ka mbetur plotësisht pa energji elektrike, ndërsa nga KEDS-i nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar apo afat se kur pritet të rikthehet furnizimi. Përgjigjja e vetme e përsëritur që marrim është: “Kemi prishje dhe ekipet janë në terren.”
“Për më shumë, në bashkëngjitje mund të gjeni disa nga emailat e dërguar që nga muaji qershor, të cilat dokumentojnë komunikimin tonë të vazhdueshëm me KEDS-in, pa llogaritur qindra thirrje të bëra në linjën e tyre zyrtare (hotline) për raportimin e defekteve dhe mungesës së energjisë.”
“Duke qenë se Koliqi ndodhet vetëm 17 kilometra nga qendra e Prishtinës, mendojmë se kjo gjendje është e papranueshme dhe kërkon reagim institucional dhe publik. Për këtë arsye, kërkojmë që përmes jush, kjo çështje të trajtohet në media, me qëllim që të nxisim ndërhyrje urgjente për rikthimin e furnizimit me energji elektrike për banorët tanë.”, thotë Beqiri.
Ajo i ka dërguar lajmi.net, përgjigjet që i ka marr nga KEDS në email nga data 4 korrik.
Këto ishin përgjigjet e KEDS:
4 Tetor: Si pasojë e kushteve të rënda atmosferike që janë duke mbizotëruar anembanë vendit jemi duke u ballafaquar me prishje të shumta në rrjet. KEDS ka angazhuar ekipe të shumta të cilët janë duke punuar intensivisht për të sanuar prishjet dhe rikthyer furnizimin me energji elektrike për të gjithë konsumatorët. Ne kërkojmë nga të gjithë konsumatorët që të na mirëkuptojnë rreth situatës në të cilën gjendemi në mënyrë që të tejkalojmë këtë situatë sa më lehtë që është e mundur
7 Tetor: Ju njoftojmë që dalja e cila furnizon pikën matëse tuajën është jashtë funksionit si pasoje e prishjes ne rrjet. KEDS ka angazhuar ekipet teknike te cilët janë duke punuar intenzivisht me qëllim të sanimit të defektit dhe ri-kthimit të furnizimit me energji elektrike në afatin sa më të shkurtër kohor.
Banorët e Koliqit mbesin me shpresë që ky problem të rregullohet sa më shpejtë që është e mundur./lajmi.net/