Viti 2014 u shpenzua që nga fillimi

Analisti Dusan Janjic thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi dhe Kosovë do ta ndërpresin Dialogun mes dy vendeve dhe do të pengojnë edhe zbatimin e pikave të Marrëveshjes së Brukselit. Sipas tij, viti 2014 nuk premton rezultate të rëndësishme.

Lajme

02/02/2014 20:15

Qarqet analitike në Serbi vitin 2014 e shohin si të humbur sa i përket Dialogut Kosovë-Serbi.

Analisti nga Beogradi, Dusan Janjic, thotë për lajmi.net se viti 2014 është i shpenzuar që në fillim, pasi që një kohë të madhe do të marrin zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në Serbi dhe ato në Kosovë.

Sipas tij, zgjedhjet e përgjithshme të 16 marsit në Serbi do të ndërpresin Dialogun me Kosovën dhe do të pengojnë edhe zbatimin e pikave të Marrëveshjes së Brukselit.

“Përderisa Serbia përfundon zgjedhjet, pastaj vazhdon formimi i Qeverisë, pastaj janë pushimet dhe më pas fillojnë zgjedhjet në Kosovë, mund të thuhet viti 2014 nuk do të ketë ngjarje të rëndësishme sa i përket Dialogut”.

“Mund të themi se viti 2014 është i shpenzuar qysh në fillim sa i përket Dialogut. Ndërsa, sa u përket qytetarëve në Serbi, situata është edhe më e rrezikshme lidhur me ndryshimet në fushën e ekonomisë dhe papunësisë”.

Analisti beogradas thotë se vendimi për zgjedhje të jashtëzakonshme nuk u ka pëlqyer as shteteve të rëndësishme të BE’së, por as Rusisë.

Janjic potencon edhe skepticizmin e Gjermanisë se zgjedhjet do të pengonin Dialogun Prishtinë-Beograd.

“Përfaqësues të shteteve të BE’së, ndonëse nuk kanë dhënë deklarata zyrtare, ata nuk janë të kënaqur me vendimin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pasi që do të mund të ndalen shumë procese”.

“Moska ka qenë e drejtpërdrejtë në deklaratën zyrtare. Ata, normalisht, brengosen për rezultatet, pasi që do të mund të largohej nga qeverisja ndonjë partner i tyre”.

“Sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, Ambasadori gjerman e ka thënë qartë se pret që Beogradi të mos e ndërpresë Dialogun. Normalisht, takimet do të vazhdojnë, por asnjëra nga marrëveshjet nuk do të konfirmohen, pasi që Qeveria në Serbi gjendet në një status të vështirë, Parlamenti është i braktisur”.

Janjic, duke komentuar arsyen për zgjedhje të jashtëzakonshme në Serbi, thotë se subjekti politik në koalicionin qeverisës, Partia Progresiste Serbe (SNS), në krye me Zëvendëskryeministrin Aleksandar Vucic, dëshiron që të rikonfirmohet në pushtet për të paktën edhe 2 vjet mandat.

“Zyrtarisht thuhet se arsyeja për zgjedhje të jashtëzakonshme ka ardhur si rezultat i dëshirës së Partisë Progresiste Serbe (SNS) për të udhëhequr me Qeverinë dhe për të marrë legjitimitetin e ri”.

Arsye tjetër është edhe largimi nga zgjidhja e problemeve të mëdha me të cilat ballafaqohet populli serb.

“Mirëpo, unë mendoj se kjo është njëra anë e përgjigjes. Ndërsa, sipas pjesës tjetër të përgjigjes, mund të thuhet vendimi për zgjedhje ka ardhur pasi që Qeveria e Serbisë nuk mund t’i zgjidhë problemet e vështira, siç janë kriza ekonomike, papunësia, mungesa e investimeve të huaja”.

“Me këtë, SNS ka dashur që të shfrytëzojë rejtingun e vet që aktualisht vlerësohet se është i lartë dhe të tentojë që të fitojë të paktën edhe 2 vjet mandat, për të krijuar, siç ata shprehën, një Qeveri Reformatore që do të kishte 2/3 e deputetëve dhe më këtë do të shpejtonte reformat”, thotë Dusan Janjic për lajmi.net.