Vitet e LDK’së

24 vjet pas themelimit, Jusuf Buxhovi thotë se LDK ende është në tatepjetën e nisur nga viti 2006. Ai pret rformim dhe hapje të partisë. Në të kundërtën, thotë se LDK mund të bëhet pjesë e fundosjes “demokratike” të vendit.

Lajme

23/12/2013 07:06

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës feston 24 vjetorin e themelimit.

Në ditët e dhjetorit të vitit 1999, një grup intelektualësh shqiptarë në Prishtinë kishin ndërmarrë iniciativën që t’i kanalizonin kërkesat politike të shqitarëve përmes një subjekti politik.

Shkrimtari Jusuf Buxhovi, emri i të cilit figuron në krye të dokumentit nismëtar të kësaj partie, në një intervistë për lajmi.net flet për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e LDK’së.

Dikur si lëvizje nacionale politike, e kthyer në parti konkurrente me partitë tjera pas luftës, LDK tash e sa vjet ka humbur primatin e të qenit partia më e votuar nga kosovarët.

Do të kthehet apo jo aty ku ka qenë, siaps Buxhovit, varet nga aftësia e vetë LDK’së që të marrë përsipër procesin, së pari të reformimit të brendshëm. E si hap të parë ai sugjeron një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë.

Ai nuk dëshiron ta shohë LDK’në në pushtet vetëm sa për t’i ndërruar njerëzit në krye. Prandaj, Buxhovi dëshiron ta shohë LDK’në të hapur ndaj njerëzve të rinj, të pakorruptuar dhe të gatshëm, sic shprehet, për një qeverisje që do të shkonte në dobi të Kosovës.

“Po nuk ndodhi kjo, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës, në vend se të ndjek thirrjen e përgjegjësisë historike që e ka, do të kthehet në pjesë të fundosjes “demokratike” të vendit”, thotë Jusuf Buxhovi.

 

Lajmi.net: Sot  mbushen 24 vjet të themelimit të LDK-së. Si njëri ndër themeluesit e kësaj partie, si i kujtoni ditët para themelimit të saj?

Jusuf Buxhovi: Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishe ngjarje e rastit e as diçka që piku nga qielli. Përkundrazi, atë e detyruan rrethanat e kohës, siç ishin ato  pas rrënimit me dhunë të autonomisë së Kosovës nga Serbia në mars të vitit 1989  kur u përcollën me një gjendje të ashpër terrori dhe instalimin e regjimit pushtues serb.

Në këto rrethana, intelektualëve u binte përgjegjësia historike që të viheshin në krye të një lëvizjeje politike që do të merrte në dorë frenat e vendit. Meqë shkrimtarët ishin shumë aktivë në lëvizjen intelektuale kundër pushtimit serb dhe dhunës që ushtronte, ishte e natyrshme që ata të merrnin përsipër krijimin e një partie politike, me anën e të cilës do të fitohej legjitimiteti drejtues i popullit.

Si dihet, kjo nismë u përkrah edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, të cilët nxitën dhe trimëruan shkrimtarët që të vihen në krye të këtij procesi.

Si koordinator i grupit nismëtar, që kishte barrën e hartimit të dokumenteve të partisë si dhe organizimin e Kuvendit Themelues, mund të them se pa angazhimin e përfaqësuesve të  SHBA-ve në Beograd, vështirë që do t’ia dilnim mbanë kësaj pune me përgjegjësi historike dhe tejet të rrezikshme, kur dihej se Beogradi kishte plane që Kosovën ta kthente në një zonë të errët, ku mund të ushtronte terror që si kundërpërgjigje do të kishte ndonjë rezistencë individuale, por jo institucionale që do të krijonte rrethanat për rezistencë institucionale siç ndodhi pas themelimit të LDK-së kur ajo u kthye në një lëvizje të madhe gjithëpopullore që mori përsipër legjitimimin e shkëputjes nga Serbia (Deklarata Kushtetues e 2 korrikut 1990) si dhe shpalljen e Kosovës Republikë (në Kaçanik më 7 shtator 1990).

Pra, ato ditë, ishin ditë me plotë shqetësime, por edhe me bindje se ndodheshim para një sprove të madhe kur duhej të veprohej me përkushtim të madh që të shfrytëzohej çasti historik…

Jusuf Buxhovi gjatë Kuvendit Themelues të LDK’së më 23 dhjetor 1989

 

Lajmi.net: Cili është roli i LDK-së në periudhat para dhe pas luftës në Kosovë?

Jusuf Buxhovi: Shikuar nga këndvështrimi historik, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy pamje: atë të lëvizjes së madhe shtetndërtuese, e cila tashmë ndodhet në vitrinat e historisë së shtendërtimit të Kosovës, me merita shumë të mëdha. Dhe ka pamjen e partisë politike, e cila vazhdon të jetë me lëvizje të paqëndrueshme.

Pamja e parë, pra ajo historike, përfshin kohën nga 23 dhjetori i vitit 1989 dhe zgjat deri në qershor të vitit 1999. Ndërsa pamja e dytë, është ajo e partisë politike, që lidhet me pluralizmin politik, nga zgjedhjet vendore të vitit 2000 e deri në ditët tona, kur kjo parti, bashkë me subjektet tjera politike do t’i nënshtrohet konkurrencës së hapur politike.

Ky periodizim, që nuk e privon Lidhjen Demokratike të Kosovës as nga fundamenti e as nga rëndësia e saj, nxjerr në pah rrethanat e ndryshme, që asaj ia kanë përcaktuar veprimin, në rastin e parë – gjatë okupimit  të luftojë pushtuesin – gjë që këtë e ka bërë me organizimin e lëvizjes institucionale që i ka paraprirë veprimeve që kanë shkuar edhe deri te rezistenca e armatosur dhe lufta; ndërsa në rastin e dytë, të angazhohet për ndërtimin e demokracisë.

Pra, si parti politike, e cila  ka marrë pjesë në procesin e vendosjes së demokracisë pluraliste, fillimisht si parti fituese, pas vdekjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova, nga vitit 2006 e tutje ndodhet në një tatëpjetë të vazhdueshme, që është në shpërputhje me fuqinë e elektoratit që posedon kjo parti, dhe po ashtu, është në shpërputhje edhe me interesat e vetë skenës politike të Kosovës, e cila nuk mund të jetë stabile pa një LDK stabile.

Lajmi.net: A është tani LDK e profilizuar dhe e harmonizuar me kërkesat politike të kohës?

Jusuf Buxhovi: Parimisht edhe LDK është profilizuar me kërkesat politike të Kosovës, por çështje është si dhe sa ato kthehen në koncept të një dobie të përgjithshme politike për rrethanat e jashtëzakonshme, siç janë këto tonat, kur me keqardhje mund të konstatohet se nga klasa e tanishme politike, ku nuk përjashtohen as ata nga radhët e LDK-së, procesi i bërjes së shtetit është zëvendësuar me zhvatjen e shtetit.

Lajmi.net: Pas shumë viteve në opozitë, a është LDK’ja e përgatitur që të kthehet përsëri në pushtet?

Jusuf Buxhovi: LDK, me gjithë defektet që ka, mbase edhe mund të kthehet në pushtet, por çfarë fiton Kosova nga një pushtet që nuk zëvendësohet nga një koncept i qartë politik, i cili mbështetet mbi vlerat qytetëruese dhe ardhmëria për të gjithë, por nga revolta që të hiqet një qeverisje e keqe, me shumë e shumë gabime dhe skandale, siç është kjo e tanishmja?

Kujtoj se një qeverisje e cila e ka mbushur kupën me shumë e shumë të këqija dhe vendin e ka sjellë para kolapsit, mund t’i nevojitet “një ndryshim”, në mënyrë që t’i iket përgjegjësisë historike, por kjo nuk do të duhej të ishte synim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngaqë ashtu asgjë nuk fitohet.

Përkundrazi, Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet ta shfrytëzojë krizën e tanishme që të ndryshojë sjelljen e vet rrënjësisht, dhe kjo mund të ndodh po qe se i kthehet vlerave të mirëfillta qysh nga fillimi. Dhe kjo mund të bëhet po qe se udhëheqja e tanishme, e cila në këto zgjedhje ka humbur shumë, do ta mbante një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë, ku do t’u hapeshin dyert njerëzve të rinj, të pa korruptuar dhe të gatshëm për një qeverisje që do të shkonte në dobi të Kosovës.

Po nuk ndodhi kjo, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës, në vend se të ndjek thirrjen e përgjegjësisë historike që e ka, do të kthehet në pjesë të fundosjes “demokratike” të vendit!.