VITA kërkon hetim nga Prokuroria dhe Policia për vonesën e publikimit të rezultateve nga AUV dhe Ministria: Të ndërmarren masa dhe të parandalojnë manipulimin
Kompania VITA ka njoftuar se i është drejtuar Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me një kërkesë zyrtare, duke kërkuar që këto institucione të marrin mostra paralele të produkteve “Vita” dhe “Holla”. Sipas kompanisë, ky hap është ndërmarrë për shkak të vonesës së publikimit të rezultateve të analizave laboratorike nga institucionet…
Lajme
Kompania VITA ka njoftuar se i është drejtuar Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me një kërkesë zyrtare, duke kërkuar që këto institucione të marrin mostra paralele të produkteve “Vita” dhe “Holla”.
Sipas kompanisë, ky hap është ndërmarrë për shkak të vonesës së publikimit të rezultateve të analizave laboratorike nga institucionet përgjegjëse, përkatësisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton lajmi.net.
Në reagimin e saj, VITA bën të ditur se, megjithëse ka paraqitur disa kërkesa pranë AUV-së, ende nuk ka pranuar rezultatet e analizave të mostrave të marra.
Në komunikatën e publikuar, kompania thekson se kërkesa ndaj Policisë dhe Prokurorisë Speciale synon të sigurojë marrjen e mostrave paralele dhe të shmangë çdo dyshim lidhur me procesin e analizimit të tyre.
Po ashtu, VITA pretendon se gjatë një inspektimi të zhvilluar më 2 korrik 2026, një këshilltare politike e Ministrisë së Bujqësisë ishte prezantuar si inspektore, ndërsa, sipas kompanisë, edhe pronari i një kompanie konkurruese kishte qenë i pranishëm gjatë inspektimit.
Për këtë arsye, kompania thotë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale të ndërmarrin veprime për të parandaluar, siç pretendon ajo, çdo manipulim të mundshëm me rezultatet e analizave të mostrave të marra nga AUV për produktet e markave “Vita” dhe “Holla”.
Deri më tani, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka reaguar lidhur me pretendimet e ngritura nga kompania VITA.
Postimi i plotë:
Vonesa e rezultateve: VITA kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale dhe Policisë për marrjen e mostrave paralele te produkteve VITA dhe Holla.
Nëpërmjet kësaj komunikate, njoftojmë opinionin publik, që sot, më datë 24.07.2026, kemi paraqitur Kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilës kemi kërkuar nga këto institucione që të vijnë dhe të marrin të gjitha mostrat paralele të produkteve Vita dhe Holla, për shkak të vonesës së institucioneve kompetente për të dorëzuar rezultatet brenda afateve ligjore.
Duke marrë parasyshë që deri më sot nuk kemi pranuar rezultatet dhe pavarësisht kërkesave të shumta që i kemi bërë ndaj institucionit AUV, ne akoma nuk kemi pranuar rezultatet e analizave të mostrave.
Duke e konsideruar edhe vetë faktin që në inspektimin e datës 02.07.2026, Këshilltarja Politike e Ministrisë së Bujqësisë na u ka prezentuar si Inspektore, e njësoj ka bërë edhe pronari i Kompanisë konkurrente, ne e kemi parë të udhës që të paralajmërojmë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, që të ndërmarrin masa dhe të parandalojnë manipulimin me rezultatet e të gjitha mostrave që i ka marrë AUV, për brendet “Holla” dhe “Vita”./lajmi.net/