Visoka: Kriza politike në Kosovë, test i pjekurisë shtetërore
Kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike, thotë për Radion Evropa e Lirë Dr. Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë. “Politika nuk është vendosje e një grupi kundrejt të tjerëve, por…

Lajme
Kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike, thotë për Radion Evropa e Lirë Dr. Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë.
“Politika nuk është vendosje e një grupi kundrejt të tjerëve, por është dialog dhe kompromis”, thekson Visoka.
Sipas tij, dështimi i njëpasnjëshëm për të konstituuar Kuvendin e Kosovës po e thellon edhe zhgënjimin qytetar.
Visoka thotë se mungesa e ndërhyrjes ndërkombëtare këtë herë duhet të shërbejë si sinjal për partitë politike se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”.
Partitë politike, edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ende nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, proces që ka nisur më 15 prill.
Ky proces po ngec për shkak se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.
LVV-ja insiston se Haxhiu është kandidate e merituar dhe, ndonëse ka kërkuar një marrëveshje politike, e ka përjashtuar mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Për herë të 12-të, deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Si e vlerësoni sjelljen e udhëheqësve politikë në menaxhimin e kësaj krize institucionale?
Gëzim Visoka: Të gjithë liderët politikë janë dëshmuar të ngurtë dhe të zënë në pozita të atilla që çdo kompromis lexohet si dorëzim dhe humbje politike apo elektorale.
Kjo paralizë politike lidhet gjithashtu me kulturën polarizuese që është instaluar ndër vite dhe është thelluar më tej në fushatën e fundit zgjedhore, e cila ishte grindavece.
Pra, logjika e polarizimit është duke e dëmtuar demokracinë dhe nuk po krijon një shumëllojshmëri idesh dhe modelesh politike, por thjesht fragmente të së njëjtës kastë politike.
Asnjë parti “nuk dëshiron të bëjë lëshime”
Radio Evropa e Lirë: Si e interpretoni ndikimin e kësaj krize në perceptimin e publikut për aftësinë e klasës politike për të vepruar në interes të përgjithshëm?
Gëzim Visoka: Mendoj se kjo krizë do ta thellojë mosbesimin e qytetarëve ndaj disa prej liderëve politikë. Mund të kemi bojkotim ose ndëshkim nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.
Duke marrë parasysh gjithashtu shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të çmimeve të jetesës, mund të presim një ndryshim në sjelljen politike të elektoratit pragmatik.
Radio Evropa e Lirë: Si e shpjegoni vështirësinë për të arritur kompromis në këtë fazë të procesit?
Gëzim Visoka: Kemi të bëjmë me një paradoks midis të drejtës dhe veprimit të lejueshëm politik dhe sovran.
Pra, secila parti mendon se ka të drejtë në pozicionet e saj politike dhe kushtetuese, dhe nuk dëshiron të bëjë lëshime. Ripërsëritja e seancave duket si një performancë për të treguar se kush do të rezistojë më gjatë ose kush do të bëjë gabime në hapa.
Po ashtu, kemi të bëjmë me një krizë të varfërisë kushtetuese dhe me një dizajnim të dobët të normave kushtetuese dhe parlamentare për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë.
Politika “është dialog dhe kompromis”
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kjo krizë reflekton sfida më të thella në ndërtimin e një kulture politike të bazuar në dialog?
Gëzim Visoka: Mendoj se kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike. Politika nuk është vendosje e një grupi kundrejt të tjerëve, por është dialog dhe kompromis.
Çdo lexim tjetër mund të çojë në bllokada politike, polarizim dhe tendenca dominuese, të cilat do të ishin në dëm të demokracisë dhe pluralizmit politik. E njëjta logjikë vlen si për politikat e brendshme, ashtu edhe për ato të jashtme, sepse kemi të bëjmë me një sistem shoqëror dhe politik të ndërvarësisë, të ndarjes së pushtetit, dhe jo të dominimit apo imponimit.
Qeveria tranzitore, një “propozim kreativ”
Radio Evropa e Lirë: Nga LDK-ja është propozuar një qeveri tranzitore, gjë që nuk është përkrahur. Në këtë pikë, çfarë roli, nëse ka ndonjë, mund të luajë presidentja, Vjosa Osmanni, apo aktorët ndërkombëtarë në zgjidhjen e këtij ngërçi?
Gëzim Visoka: Mendoj se ndërhyrja e presidentes është e nevojshme në këtë fazë, qoftë për të lehtësuar një dialog ndërpartiak, apo për të kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese për të dalë nga kriza aktuale.
Propozimi për një qeveri tranzitore është kreativ dhe nuk duhet kundërshtuar në parim. Megjithatë, duke njohur konstelacionin aktual politik, zgjedhjet duken si zgjidhja më e mundshme për të dalë nga ngërçi.
Mungesa e ndërhyrjes ndërkombëtare këtë herë është një rast studimi në vete dhe duhet të shërbejë si sinjal për partitë politike se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare. Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme.
Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojë kjo krizë e brendshme politike në pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në këtë moment të ndjeshëm gjeopolitik për rajonin dhe Evropën?
Gëzim Visoka: Kjo krizë e gjen Kosovën të ekspozuar ndaj krizave të papritura dhe pa mandat për veprim strategjik dhe ekzekutiv. Vendi është duke e humbur momentumin dhe mundësitë e krijuara pas ardhjes së [presidentit amerikan, Donald] Trumpit në pushtet dhe me instalimin e lidershipit të ri në Bashkimin Evropian. Po ashtu, rrezikojmë humbje të mëtejshme të besimit nga miqtë e Kosovës. REL