Visar Ymeri thotë se edhe votimi për një kandidat është demokraci

Ai ka njoftuar se pas zgjedhjes kryetar i LVV_së, nuk është më kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj partie, ku do ta pasojë Glauk Konjufca.

Lajme

03/03/2015 20:59

Në emisionin Rubikon të KTV-së, Ymeri ka mbrojtur vendimin e kandidimit të tij për postin e kreut të VV-së pa asnjë kundërkandidat.

Ymeri ka thënë se diskutimi brenda Lëvizjes ka nisur javë më herët para se të dilet në publik me vendimin për moskandidimin e Albin Kurtit.

“Në publik kemi dalë me lajmërimin se Albini nuk do të kandidojë, por diskutimi brenda VV-së ka nisur më herët. Në Grupin parlamentar të VV-së çështja e kandidaturës sime është diskutuar javë më herët”, ka thënë Ymeri në Rubikon të KTV-së.

Ai ka mohuar se janë minimizuar gjasat për ndonjë kundërkandidat për postin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje me kandidaturën e tij, ndërsa ka theksuar se anëtarësia e gjerë e ka ditur se Albin Kurti nuk do të rikandidojë, transmeton koha.net.

Lideri i ri i Vetëvendosjes ka mbrojtur vendimin për garën me vetëm një kandidat, duke thënë se “nuk kemi dashur ta kemi një kundërkandidat vetëm sa për sy e faqe”.

Ndaj vërejtjes së drejtuesit të Rubikonit se kanë mundur të kandidojnë dy ose madje edhe tre kandidatë dhe jo vetëm sa për sy e faqe, Ymeri u përgjigj:  “Dua të them se ekzistenca e një kundërkandidati vetëm sa për sy e faqe nuk e bën procesin më demokratik. Duhet të pyesim anëtarësinë përse nuk kanë propozuar kandidatë të tjerë”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, Vetëvendosje është partia me më së shumti demokraci të brendshme në Kosovë.