Viktimat e dhunës në familje duhet të mbrohen

Ministrja Vlora Çitaku thotë se nga dhuna në familje më të prekurat janë femrat. Sipas saj, ka strehimore të cilat mbrojnë viktimat që janë objekt i dhunës, por ato po përballen me vështirësi financiare.

Lajme

08/02/2014 14:03

Ministrja e Integrimeve Europiane Vlora Çitaku ka thënë se në shumicën e rasteve të dhunës në familje, femrat janë ato të cilat përjetojnë.

Çitaku ka thënë sot në një konferencë mbi vlerësimin e situatës aktuale të strehimoreve dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare se në Kosovë ka strehimore për mbrojtjen dhe përkrahjen e  viktimave që janë objekt i dhunës, por ato sipas saj, po përballen me gjendje të rëndë financiare.

“Dhuna në familje, tashmë është një problem i njohur për të gjithë, dhe pothuajse gjithmonë, femrat janë ato që e përjetojnë këtë dhunë. Për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje është hartuar edhe legjislacioni përkatës dhe aktualisht në Kosovë vepron Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje si dhe strategjia Nacionale kundër dhunës në familje.

“Në momentin që një grua merr guximin të denoncojë dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti apo ndonjë tjetër anëtar i familjes, atëherë ligji i ofron asaj siguri dhe mbrojtje”.

“Prej këtij momenti viktimës i duhet të kalojë në disa hallka kyçe që i ofron sistemi mbrojtës. Policia, Qendrat për Punë Sociale dhe Mbrojtësit e Viktimave. Të tre këto mekanizma duhet të funksionojnë sa më mirë për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje dhe për t’i dërguar në fund në strehimore”.

“Në Kosovë, aktualisht ka gjashtë strehimore apo shtëpi të sigurta si për mbrojtjen e viktimave të dhunës si dhe atyre të trafikuara. Por fatkeqësisht këto strehimore po përballen me vështirësi dhe gjendje të rëndë financiare. Jam shumë e vetëdijshme për këtë punë”.

“Gratë, viktima të dhunës në familje kane nevojë për përkrahje,për shërbime profesionale dhe adekuate. Kjo çështje është shumë sensitive dhe kërkohet angazhim i plote nga të gjithë akterët e përfshirë”.

“Vetëm me punë dhe me përkushtimin më të madh do të mund të kontribuojmë në zvogëlimin e këtij fenomeni të pështirë që përfundimisht duhet të çrrënjoset nga shoqëria jonë”.

“Qëllimi primar i kësaj Konference është shqyrtimi i qëndrueshmërisë së strehimoreve përmes kornizës ligjore në fuqi dhe aspekteve të tjera të orientuara për lehtësimin e shërbimeve për këtë kategori të shoqërisë”, ka thënë Ministrja Vlora Çitaku.