Vijnë reagimet e para të NATO, pas tërheqjes së Rusisë

NATO-ja ka shprehur pakënaqësi për vendimin e Rusisë që ta pezullojë pjesëmarrjen e saj në Grupin e Përbashkët Konsultativ (JCG) në marrëveshjen për Forcat Konvencionale Ushtarake në Evropë.

Bota

11/03/2015 14:14

Ky vendim ishte shpallur dje në faqen e Ministrisë së jashtme të Rusisë në Internet.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot në Mons të Belgjikës, se “jemi të pakënaqur me vendimin e Rusisë”.

Në kumtesën e Rusisë theksohet se Moska, praktikisht, e kishte suspenduar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen për Forcat Konvencionale Ushtarake në Evropë (CFE), qysh në vitin 2007, duke thënë se planet e zgjerimit të NATO-s e bëjnë të pamundshme realizimin e neneve të marrëveshjes.

Në këtë kuadër, në njoftimin rus shpjegohet se, vendimi për pezullimin e rolit të Moskës në JCG, paraqet “kompletim të suspendimit të CFE-së, të shpallur nga Rusia në vitin 2007./REL/