Video lojërat mund të ju shkatërrojnë marrëdhëniet me miqtë dhe familjen

Përderisa shumë njerëz e kalojnë shumicën e kohës së tyre duke luajtur lojëra, kualiteti i marrëdhënieve me miqtë dhe prindërit dobësohet, thuhet sipas një studimi të ri.

Lifestyle

02/12/2014 21:21

Hulumtuesit nga Universiteti Brigham, Alex Jensen dhe Laura Walker i lidhën marrëdhëniet e dobëta me miqtë dhe familjarët e tyre me përdorimin e video lojërave.

Hulumtimi u bazua në informatat e mbledhura nga 813 studentë të universitetit. “Mund të jetë se të rriturit e rinj i largojnë nga vetja e tyre parametrat e rëndësishëm social për të luajtur video lojëra, ose njerëzit të cilët kanë probleme në marrëdhëniet e tyre përpiqen që ta kalojnë kohën e tyre duke luajtur video lojëra”, tha Walker.

Pjesëmarrësit në studim raportuan se sa shpesh ata luajnë video lojëra. Ata gjithashtu iu përgjigjën një sërë pyetjeve matëse të cilësisë në marrëdhënie, duke përfshirë sa shumë kohë, besim, mbështetje dhe dashuri ata ndajnë me miqtë dhe prindërit e tyre, transmeton Lajmi.net.

Hulumtuesit thonë se përdorimi i tepër i video lojërave është një “fund” për marrëdhëniet me të tjerët.

Analizat statistikore gjithashtu zbuluan se sa më shumë që të luajmë video lojëra, aq më të shpeshta do të jenë përfshirjet tona në sjellje të rrezikshme si pijet alkoolike dhe droga.

Të rriturit e rinj të cilët raportuan se kanë luajtur video lojëra çdo ditë raportuan se kishin pirë duhan pothuajse dy herë më shumë se ata të cilët luajnë më pak apo edhe tre herë më shumë se sa ata që nuk luajnë kurrë, transmeton Lajmi.net.