Video ekskluzive: Lokali ku ndodhi masakra e Tiranës, që la 4 të vrarë

Një masakër e vërtetë ndodhi në të gdhirë të së martës (rreth orës 04:21) në një lokal të njohur për jetën e natës në Tiranë, ku janë vrarë me armë 4 persona, dhe ku një nga të arrestuarit si autor i dyshuar është Konstandin Xhuvani, djali i deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani.

Lajme

04/11/2014 15:45

Televizioni A1 REPORT sjell pamje ekskluzive brenda klubit “Ante Grand” përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe pranë Shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, aty ku ndodhi përleshja fillimisht fizike e më tej me armë, mes dy grupe personash.

Arbër Demiraj 19 vjeç, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, Edison Jaho 36 vjeç dhe Enea Xhaji 38 vjeç janë tre rinjtë që kanë humbur jetën nga përleshja me armë dhe bashkë me ta ka humbur jetën dhe një italian. Giampaolo Azzola, 55 vjeç ndodhej në lokalin ku u konfliktuan të rinjtë, ndërsa mjekët konfirmuan për A1 REPORT se italiani mbërriti i pajetë në spital dhe kishte marre 3 plumba ne kraharorin e majtë, shumë pranë zemrës. Azzola ndodhej në klubin e natës me një person tjetër gjithashtu italian, ndërsa sipas burimeve nga policia italiane për A1 Report, Azzola ka qenë i përfshirë në pazare droge më herët.

Policia ka arrestuar tre persona si autorë të dyshuar për vrasjen e 4-fishtë, Kostandin Xhuvani 25 vjeç (djali i deputetes të Partisë Socialiste Luiza Xhuvani dhe regjisorit te njohur Gjergj Xhuvani) Erald Sina 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç, të cilët janë kapur në kushtet e flagrancës ne tentative per tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Burime nga policia: Djali i ish-prokurorit u vra aksidentalisht nga shokët e tij

Arbër Demiraj, djali i ish-prokurorit, sipas burimeve nga policia për A1 REPORT mësohet se është vrarë aksidentalisht nga 3 shokët e tij, të cilët njëherësh janë tre autorët e dyshuar të vrasjes së 4-fishtë. Demiraj ishte pjesë e grupit të Konstadin Xhuvanit, por është qëlluar aksidentalisht me armë gjatë përleshjes në lokalin e natës. Policia e Tiranës e cila mbërriti në vendngjarje pas njoftimeve për të shtëna me armë, ka kapur në kushtet e flagrancës tre të rinjtë Konstandin Xhuvani, Erald Sina, Albano Ballcaj në trotuarin e clubit, teksa tentuan të largonin me automjetin e tyre trupin e pajetë të 19-vjeçarit Arbër Demiraj. 

Sipas pamjeve ekskluzive të A1REPORT, e gjithë skena e krimit ka ndodhur brenda ambienteve të klubit. Nga pamjet ekskluzive të siguruara nga A1 REPORT, sherri masiv mes dy grupeve, atij te Konstandin Xhuvanit dhe grupit tjeter me te rinjte nga Berati, ka ndodhur para banakut të lokalit. Në tavolinën pranë banakut është ndodhur njëri grup dhe në një kënd tjetër të tij ndodheshin grupi tjetër i përfshirë në konflikt. Nga pamjet ekskluzive, pjesa e lokalit ku ka ndodhur sherri është thuajse e përmbysur totalisht, shishe alkooli të thyera, karrige të rrëzuara, çka flet për një përleshje mjaft të fortë fizike mes palëve deri në përdorimin e armës. Si pasojë, janë qëlluar për vdekje me armë 4 persona.