Vetëvendosje zotohet për investime më të mëdha në mbrojtje
Lëvizja Vetëvendosje ka hapur zyrtarisht sonte fushatën zgjedhore në Gjakovë me premtimet për më shumë punësime, mbështetje për ndërmarrjet dhe investime në mbrojtje. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se me Vetëvendosje në pushtet “Kosovën e pavarur e bëmë të pavarur edhe nga korrupsioni i politikanëve të vjetër dhe nga pazaret e vjetra me Serbinë”.…
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje ka hapur zyrtarisht sonte fushatën zgjedhore në Gjakovë me premtimet për më shumë punësime, mbështetje për ndërmarrjet dhe investime në mbrojtje.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se me Vetëvendosje në pushtet “Kosovën e pavarur e bëmë të pavarur edhe nga korrupsioni i politikanëve të vjetër dhe nga pazaret e vjetra me Serbinë”.
“Energjinë e popullit tanë, potenciali i kësaj rinie duhen për të zhvilluar vendin tonë, për të drejtuar e rregulluar shtetin, jemi mundësia institucionale për këtë vend. Andaj, për rininë e kemi punësimin, për gratë barazimin, për fëmijët shtesat, për opozitën e kemi opozitën, për Serbinë e kemi policinë e ushtrinë, për pleqtë pensionin, dhe për të gjithë e kemi shëndetësinë. Pra, secili në vend të vetit. Me neve në qeveri, me qeverisjen tonë partnerja kryesore tregtare në rajon është Shqipëria dhe orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik. Me qeverisjen tonë Kosovën e pavarur e bëmë të pavarur edhe nga korrupsioni i politikanëve të vjetër dhe nga pazaret e vjetra me Serbinë…Ne nuk bëjmë gjëra për inat të fqinjit tanë verior, ne bëjmë gjëra për shkak se e duam vendin tonë…Nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe historinë, por të ardhmen duke punuar qysh tash…Do të shtojmë prodhimin, e do të shtojmë eksportin, do të bëjmë program për turizmin…Do të rrisim kohezionin shoqëror përmes mbështetjes financiare për gjyshet dhe gjyshërit që kujdesin për nipërit dhe mbesat nga një deri në tre vjet për rastet ku punojnë të dy prindërit, se gjyshërit janë duke i rrit dy parë fëmijë edhe neve edhe fëmijët tanë, andaj shteti do t’i mbështesë ata. Do të kemi investime edhe më të mëdha në mbrojtje, angazhim edhe për ndërmarrjet tjera”, tha Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dhe njëherësh kandidati për deputet Glauk Konjufca ka thurur lavde për rritjen ekonomike të vendit dhe luftimin e korrupsionit gjatë katër vjet qeverisje.
“Gjakova është gjaku ynë i lirisë…Se nuk ka korrupsion, ka rritje ekonomike Kosova, ka rritje të pensioneve, sepse nuk ka keqpërdorime, ka shtesa për fëmijë e lehona, se ka VV, e cila di t’ia kthejë paratë popullit. Kemi bërë më shumë për gratë e punëtorët, mjekët e arsimtarët, studentët e bujqit, policët e ushtarët, invalidët e veteranët, për çdo kategori”, tha Konjufca.
Kryetarja e Alternativës, njëherësh kandidate për deputete, Mimoza Kusari-Lila është shprehur se asnjë rrugëtim për forcimin e demokracisë nuk është i lehtë, por këtë do ta realizojnë me mbështetjen e popullit.
“Kjo fushatë po nis mbarë, se niset nga qyteti i malësisë së heronjve, grave e burrave që kontribuuan në forcimin e kombit dhe shtetit. Se fitorja e LVV-së nuk mund dhe do të jetë ndryshe, por bindëse dhe e fuqishme e mbështetur nga 500 mijë zemra…Asnjë rrugëtim për forcimin e demokracisë nuk është i lehtë, i mbushur me pengesa e sfida, të cilat e sfidojnë secilën qeverisje, por përkundër sfidave fitoreve e humbjeve, ne nuk jemi shkëputur asnjëherë nga njëri-tjetri. Kemi shikuar përpara dhe kemi vazhduar tutje e kur jemi rrëzuar kemi shtrënguar trupin dhe jemi ngritur për fitoren e radhës…Kemi treguar se koha e kompromiseve dhe pazareve ka kaluar bashkë me qeverisjen e tyre…Çdo ditë angazhim i qeverisë Kurti ishte të zhvillohet shteti”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa, kryetarja e Guxo, njëherësh kandidate për deputete, Donika Gërvalla tha se me Vetëvendosjen në pushtet u ka ardhur fundi kriminelëve si Milan Radoiçiq.
“Kemi premtuar luftë kundër krimit dhe korrupsionit e kemi mbajt fjalën, sot në Kosovë sundoj ligji cep më cep, madje edhe në veri të Kosovës. Ligji dhe shteti ligjor sundojnë në çdo cep të Kosovës, aspak e lehtë nuk ka qenë rruga deri këtu, por sot nuk ka më asnjë cep të vendit tonë kur kriminelët e terroristët mund të ndihen të sigurt. Epoka kur brenda të territorit të Kosovës vendoste Radoiçiq se çfarë është ligji ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, tha Gërvalla.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kandidati për deputet, Agon Batusha, i cili është shprehur i bindur se kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit.