Vetëvendosje: Zarfet me vota i solli kundërligjshëm Serbia
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas helmimit të 26 zyrtarëve të KQZ-së.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2019/10/vetvendosje.jpg)
Lajme
26 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë helmuar nga disa zarfe të fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.
Në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se këto zarfe janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.
“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë i Vetëvendosjes pa ndërhyrje:
Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik.
Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.
Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen.
Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.
Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar. /Lajmi.net/