Vetëvendosje nuk është kundër dialogut me Serbinë
Lëvizja Vetëvendosje e cila po përkrahë iniciativën e opozitës për lënë në opozitë Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk është kundër dialogut me Serbinë. Glauk Konjofca, ka thënë për RTK se, subjekti politik i tyre, kërkon që këtij dialogu t’i vendosen disa kushte.
Lajme
Partitë opozitare janë bërë bashkë në koalicionin paszgjedhor përmes të cilit pretendojnë që partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit, PDK-në, ta lënë në opozitë. LDK-AAK dhe Nisma, për ta bërë këtë të mundur, kërkojnë edhe mbështetjen e Vetëvendosjes.
Kjo e fundit u ka premtuar këtë mbështetje, por me një kusht, thuajse të parealizueshëm. Partia e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila në këto zgjedhje ka arritur t’i sigurojë 16 vende në parlamentin e ri të Kosovës, i kërkon qeverisë së re, e cila do të drejtohej nga Ramush Haradinaj, që t’i pezullojë bisedimet me Serbinë.
Glauk Konjufca, njëri nga udhëheqësit e kësaj partie, thotë se Vetëvendosje, nuk është kundër dialogut, por kërkon që Serbisë t’i vendosen disa kushte, e pastaj të shkohet në dialog me të.
“Vetëvendosje nuk është kundër dialogut me Serbinë, por jemi për kushte që duhet t’i vendosim dialogut. Nuk mund të bisedojmë me një Serbi e cila e ka në kushtetutën e saj Kosovën si pjesë të Serbisë, nuk mund të bisedojmë me një Serbi e cila jo vetëm që nuk na njeh, por i mbanë ende strukturat e saj në veri të Kosovës”.
“Brenda shtetit tonë, shteti i Serbisë e paguan një organizatë paramilitare, e cila quhet “Mbrojtja Civile”, e cila merr paga e urdhra nga Serbia dhe e cila e lufton shtetësinë e Kosovës”. (lajmi.net)