Vetëvendosje nisë zgjedhjet brenda partisë
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë vendim që të fillojë procesin e zgjedhjeve të brendshme për Kryetar dhe Kryesi në nivelin e përgjithshëm.
Lajme
Përmes një komunikate për media, njoftohet se të gjithë të interesuarit për të kandiduar për kryetar të Vetëvendosjes, kanë afat deri më 21 janar (e mërkurë) që të paraqesin deklaratën e kandidaturës.
Më pas, të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes në Kosovë por dhe në diasporë, do të kenë mundësinë që të votojnë për Kryetarin dhe Kryesinë e re.
“Aktivistët e interesuar për të kandiduar për pozicionin e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës deri ditën e mërkurë, data 21 janar 2015, ora 12:00, pranë Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lëvizjes, ku mund të marrin edhe shpjegime të mëtejshme lidhur me këtë proces”.
“Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje anembanë Republikës së Kosovës si dhe në Diasporë, do të kenë mundësinë që të votojnë për pozicionin e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje sipas parimit një anëtar – një votë”, thuhet në komunikatën për media të Vetëvendosjes.