Vetëvendosje me probleme të vazhdueshme në Prishtinë- i largohen edhe dy asamblistë
Lëvizja Vetëvendosje duket se në Prishtinë është duke pasur një “shembje” sa i përket përbërjes. Pas problemeve të vazhdueshme, dy asamblistë të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës janë tërhequr nga grupi i asamblistëve të kësaj partie. Berat Lahu dhe Edmond Azemi vendosën që të dalin si asamblistë të pavarur, shkruan lajmi.net. Madje emrat e tyre…

Lajme
Lëvizja Vetëvendosje duket se në Prishtinë është duke pasur një “shembje” sa i përket përbërjes.
Pas problemeve të vazhdueshme, dy asamblistë të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës janë tërhequr nga grupi i asamblistëve të kësaj partie.
Berat Lahu dhe Edmond Azemi vendosën që të dalin si asamblistë të pavarur, shkruan lajmi.net.
Madje emrat e tyre në sallën e Kuvendit të Prishtinës ku sot pritet të mbahet seanca e rregullt janë vendosur në një tjetër vend, jo tek Vetëvendosja.
Po ashtu aty shkruan “I pavarur”.
Kësisoj Vetëvendosej tani e tutje mbetet me 15 asamblistë në komunë.
Të dy asamblistët të cilët fituan ulëse në Asamblenë Komunale duke garuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ishin përballur me presion direkt nga Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të LVV-së, në fund të vitit të kaluar kur vendosën të votojnë buxhetin për vitin 2025.
Disa video që tregonin përplasjen në mesin e seancës së jashtëzakonshme për votimin e buxhetit për vitin 2025, kishin bërë bujë në media.
Lahu e akuzoi Sveçlën për qëndrimin në sallë të asamblistëve të LVV-së në janar të vitit 2024, për t’ia mundësuar pushtetit të Përparim Ramës kuorumin për këmbimin e pronave të ish-bashkëpunëtorëve të tij në projektin e Badovcit, ku nuk lejohen ndërtimet, me një pronë komunale që ka vlerë rreth 20 milionë euro. Projekti më vonë ishte anuluar./Lajmi.net/