Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Ramadan Mujës
Dega e Vetëvendosjes në Prizren po kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ramadan Mujës nga pozita e Kryetarit të Prizrenit. Sipas tyre, vendimi i Gjykatës i cili shpall fajtor Mujën, e bën të pavlefshëm fitoren e tij nga zgjedhjet e fundit.
Lajme
I kandiduar për kryetar të komunës së Prizrenit nga Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të vitit që lamë pas, Arbër Rexhaj, i është bashkuar zërave për kërkesën për dorëheqjen e Kryetarit aktual, Ramadan Muja.
Muja është shpallur fajtor dje nga Gjykata Themelore e Prizrenit, dhe është dënuar me 2 vjet burgim për arsye të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Por, sipas Rexhajt, ky vendim e bën të pavlefshëm fitoren e tij në zgjedhje dhe po ashtu e humb legjitimitetin për mbajtjen e pozitës aktuale.
“Ai prej sot nuk është Kryetar i qytetit dhe nuk ka të drejtë për ushtrimin e detyrave dhe kompetencave si Kryetar i qytetit. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme, kurse nga Presidentja e Republikës së Kosovës kërkojmë shpalljen e zgjedhjeve të menjëhershme për kryetar te Prizrenit.”
“Kohë për të humbur më nuk kemi, nëse profesori dhe ekipi i tij i akuzuar është i interesuar të ankohet për vendimin e gjyqit le ta bëjë, është e drejtë e tij, por kësaj here mos të thirret në emër të qytetarëve. Ne si qytet nuk duam të bëhemi peng i problemeve të tij me ligjin”.
Ai duke e quajtur Qeverinë Muja si të papërgjegjshme ka thënë se në rast se nuk jep dorëheqje Ramadan Muja, do të ndërmarrë të gjitha kapacitetet institucionale dhe publike në Prizren që të lirojnë qytetin.
“Dëshirojmë të njoftojmë bashkëqytetarët tanë se nëse prof. Ramadan Muja nuk e jep dorëheqjen e menjëhershme, Qendra e Vetëvendosjes në Prizren së bashku me qytetarët e Prizrenit dhe partitë tjera të interesuara do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj institucionale dhe publike që Prizreni më në fund të lirohet nga ky pushtet i cili na mori pronat, dinjitetin dhe fytyrën e qytetit tonë”.
Në anën tjetër, Ramadan Muja ka thënë sot se nuk do të japë dorëheqjen sa herë që opozita e kërkon.