Vetëvendosje: Kërkesa për vende të rezervuara është skizofrenike

Visar Ymeri thotë se çështja e krijimit të FAK’ut dhe vendeve të rezervuara janë dy çështje të ndara. Ai i quan sjellje skizofrene kërkesën e deputetëve serbë, të cilët po këmbëngulin në vazhdimin e vendeve të rezervuara.

Lajme

10/03/2014 16:22

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se çështja e ndryshimeve kushtetuese sa i përket formimit të FAK’ut dhe vazhdimi i vendeve të rezervuara për komunitetet jo shumicë janë dy çështje të ndara.

Ai thotë se emri i Forcave të Armatosura është shumë i rëndësishëm, por dallimi me konceptin e Vetëvendosjes është se këto do të jenë forca të armatosura dhe jo ushtri.

“Emri nuk është që është i parëndësishëm. Natyrisht që emri është i rëndësishëm”.

“Dallimi është këtu që Forcat e Armatosura zakonisht janë njësite profesionale, ndërkohë që ushtritë janë ato ku secili qytetar e ka mundësinë, madje edhe obligimin që t’i shërbejë mbrojtjes së vendit”.

“Ne konsiderojmë që këto dy çështje janë krejtësisht të ndara. Pra, nuk ka kurrfarë lidhje njëra me tjetrën”.

“Njëra, shndërrimi apo ndërtimi i kapaciteteve mbrojtëse për Republikën e Kosovës është domosdoshmëri e ushtrimit të sovranitetit. Ndërkohë që tjetra, është vazhdimi i vendeve të rezervuara apo vazhdimi i vendeve të garantuara, është shkelje e drejtpërdrejtë e barazisë mes qytetarëve, që nënkupton shkelje e drejtpërdrejtë edhe e idesë së Republikës dhe sovranitetit në Republikë”.

Ymeri e quan “sjellje skizofrene” kërkesën e deputetëve serbë që t’u vazhdohen vendet e rezervuara. Ai thotë se Kushtetuta duhet të ndryshohet për ta bërë Kosovën një vend më sovran.

“Kjo është sjellje skizofrene e deputetëve që i përfaqësojnë pakicat brenda Kuvendit. Dhe nuk do të thotë tash që kjo sjellje skizofrene në rrafshin politik do të duhej të shndërrohej në normë në Kosovë”.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të ndryshohet, mirëpo për ta bërë Kosovën vend më sovran e jo për të ja vazhduar këtë nëpërkëmbje të votës së qytetarit, të barazisë mes qytetarëve edhe të sovranitetit të Republikës”.

Visar Ymeri shprehu edhe një herë qëndrimin e subjektit të tij politik kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë brenda Kosovës.

Ai tha se kjo gjë është e papranueshme për Kosovën, por që mund të jetë e “pranueshme” për Qeverinë.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë disa herë të qartë qëndrimin e vet karshi këtyre çështjeve, sepse për shkak se janë ndërhyrje ose një lloj tendence e ushtrimit të sovranitetit brenda territorit nga Serbia”.

“Në këtë drejtim mendojmë se organizimi i zgjedhjeve nga Serbia është i papranueshëm. Do të kishte qenë e domosdoshme nga Qeveria e Kosovës, që të ndërmerren të gjitha masat që i ka në dispozicion për ta parandaluar një çështje të tillë”.

“Por duke pasur parasysh historikun e kësaj Qeverie e dimë që përherë këta i kanë lejuar këto zgjedhje. Nuk presim që do të ndërmarrin ndonjë gjë në këtë drejtim”.

“Por, zgjedhjet e Serbisë brenda territorit të Kosovës janë shkelje e sovranitetit të Kosovës dhe janë të papranueshme për Republikën e Kosovës, ndërkohë që për Qeverinë e Kosovës ato duket të jenë të pranueshme”.