Vetëvendosje fton mërgimtarët të votojnë kundër Angela Merkelit (Dokument)

Partia Vetëvendosje u ka bërë thirrje shqiptarëve të diasporës sonë në Gjermani, që të mos e votojnë partinë në krye të së cilës është Angela Merkel, Unioni Demokristian i Gjermanisë (CDU).

Lajme

22/09/2017 21:17

 

Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, Vetëvendosje ka dalë me kërkesë të veçantë për mërgatën shqiptare atje, duke u treguar se për kënd duhet të votojnë. Madje, kanë shkuar deri në atë nivel, sa që kanë paralajmëruar edhe rreziqe nga partitë e djathta në Gjermani.

Nga thirrja publike që Vetëvendosje u bënë shqiptarëve në Gjermani, duket se Merkelin ata edhe e konsiderojnë si pengesë për të ardhur në pushtet.

“Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë)”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga partia Vetëvendosje të premten, duke mos e përmendur direkt edhe partinë e djathtë të Merkelit.

Kjo parti flet për problemet ekonomike të gjermanëve.

“Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë. Përballë këtij rreziku, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillime kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje”, shkruan në komunikatën e Vetëvendosjes.

Kjo parti i tregon diasporës edhe për kë të hedhin votën.

“Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, shkruan mes tjerash në komunikatën e Vetëvendosjes.

Kjo thirrje e Vetëvendosjes është vërtetë e çuditshme, sepse qasja e saj ndaj serbëve në Kosovë është edhe më raciste sesa e AFD-së ndaj të huajve në Gjermani.