Vetëvendosje: EULEX ka bashkëjetuar me korrupsionin në Kosovë (video)

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një përfomancë simbolike para zyrës së EULEX-it në Prishtinë, të cilën e ka fajësuar për bashkëjetesë me korrupsionin në Kosovë.

Lajme

30/10/2014 14:23

Me disa grepa për peshkim para zyrave të këtij misioni ndërkombëtar, ku edhe ka vendosur si karrem disa bankënota të improvizuara të 500 eurove, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një aksion simbolik të enjten para zyrës së EULEX-it.

Ky aksion i VV-së, ka ardhur pas raportimeve në media për përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera korruptive.

Dardan Mulliqaj, Sekretar organizativ i Vetëvendosjes, ka thënë se është e dhimbshme që EULEX ka bashkëjetuar me korrupsionin dhe nuk ka bërë asnjë punë për ta ndalur atë.

“Është vërtetuar përtej çdo dyshimi qëndrimi që Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur 6 vjet më parë: misionet ndërkombëtare që sundojnë mbi ligjin në Kosovë nuk mund të vendosin drejtësi, dhe as nuk mund të jenë zëvendësim për drejtësinë vendore. Dalja sheshit e aferave korruptive të EULEX-it flet qartë për faktin se lufta kundër peshqve të mëdhenj të korrupsionit nuk mund të bëhet nga ky mision që jo vetëm është mbi ligjin, por edhe nuk i jep llogari asnjë institucioni vendor, e as popullit të Kosovës. Sot është e qartë që ky mision është edhe vet i përfshirë në nivele shumë të larta korrupsioni”.

“Drejtësia nuk mund të vendoset nga ekspertë dhe profesionistë që nuk kanë as vullnetin dhe as përgjegjësinë politike për të vendosur drejtësi. Drejtësia nis nga vullneti politik i forcave që kanë guximin dhe përkushtimin për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Sa më shumë t’i zgjatet jeta EULEX-it dhe misioneve të tjera që sundojnë mbi Kosovën, aq më shumë do të rritet padrejtësia mbi popullin tonë”.