Vetëvendosje: E kemi defaktorizuar Listën Serbe, PDK-në jashtë qeverisë
Lëvizja Vetëvendosje ka vizituar qytetin e lindjes së Ramush Haradinajt dhe prej aty i kanë dërguar mesazhe “Listës Srpska” dhe PDK-së. Për të parën kanë thënë se e kanë defaktorizuar, ndërsa PDK-së ja kanë bërë të pamundur të vazhdojë të jetë në qeveri.

Lajme
Visar Ymeri ka thënë se e kanë defaktorizuar partinë politike e cila po dirigjohet prej Beogradit.
“Visar Ymeri poashtu shpjegoi se marrëveshja që e ka bërë Lëvizja VETËVENDOSJE! me subjektet e LAN-it, e ka defaktorizuar Listën Serbe edhe nga një pozicion i kushtëzimit që kishte me direktivat e Beogradit”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes, e shkruar si tekst për gazetë.
Visar Ymeri gjatë diskutimit tha se PDK-ja objektivisht e ka kuptuar se nuk mund t’i formojë institucionet qeverisëse.
“PDK që prej fillimit e ka përdorur postin e kryeparlamentarit që ta bllokojë formimin e institucioneve për shkak se ka dashur marrëveshje për qeveri”, ka thënë ai.
Qytetarët që u përfshinë në këtë debat kanë shprehur përkrahjen e tyre për hapat që ka bërë Lëvizja VETËVENDOSJE! pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Ndërkaq, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kanë parë të padrejtë. Ymeri ka thënë se është gabim që Gjykata Kushtetuese nuk e ka paraparë konsumimin e të drejtës për propozimin e emrit për postin e kryeparlamentarit nga PDK-ja.
Duke folur për marrëveshjen Visar Ymeri tha se Republika ka të bëjë me shumicën dhe jo me atë se kush del i pari. Ai ka përmendur se tash është bërë një hap tutje dhe subjektet e Bllokut kanë thënë që janë të gatshme t’ia pranojnë kryetarin e Kuvendit PDK-së për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve.
“Ne presim që javën e ardhshme të ketë seancë, që Flora Brovina ta thërrasë seancën dhe prej aty të hapet rrugë për formimin e institucioneve nga koalicioni që i ka 63 deputetë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Rexhep Selimi në fjalën e tij tha se kjo situatë më parë sesa “ngërç” është bashkëpunim i subjekteve politike.
“Ngërç ka kur s’ka shumicë parlamentare, por në rastin tonë janë 63 deputetë që janë marrë vesh për ndërtimin e institucioneve”, ka thënë Selimi. Sipas tij, Lëvizja ka luajtur rol të madh në ndalimin e drejtimit të vendit nga PDK-ja.
“Ne kemi insistuar edhe më takimet me subjektet e tjera që kursi i shtetit të ndryshojë, pra është diskutuar domosdoja për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik. Pa pretenduar se kjo bëhet me një shkop magjik, duhet përqendruar në hapin e parë që është shkëputjen e lidhjeve të degës më aktive të PDK-së, SHIK-ut”, ka thënë ai.
Shumë prej qytetarëve u pajtuan se shteti i kapur është përdorur nga PDK-ja për qëllime elektorale dhe i ka përdorur të gjitha mekanzimat shtetërore për t’i vënë në funksion të interesave të veta. “Shteti i Kosovës duhet të çlirohet nga kjo kapje që i është bërë. Formalisht Kosova është Republikë, por në realitet është shndërruar në një monarki moderne që e ka një mbret”, vlerësoi Visar Ymeri.
Ndërkaq një kërkesë për të cilën kanë insistuar qytetarët është që blloku të qëndrojë dhe të hartojë vazhdimisht strategji përballë PDK-së që të dalë fitues.