Vetëvendosje do të rivlerësojë politikat fiskale
Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur idenë e saj për politikat fiskale, të cilën e bazon në parimet e drejtësisë dhe barazisë në tatime dhe shpërndarje. Politikat fiskale, sipas kësaj Lëvizje duhet të rivlerësohen dhe të drejtohen kah stimulimi i prodhimit, investimit e krijimit të vendeve të punës.

Lajme
Në një konferencë për media, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri, ka thënë se politikat fiskale duhet ta bëjnë balancimin e barrës së financimit të buxhetit, në bazë të të mirave që qytetarët përfitojnë nga paratë publike.
Kurti ka thënë se duhet rivlerësuar tatimi në të ardhurat personale, takimi në fitimi dhe duhet hequr TVSH-ja për prodhimet ushqimore bazë, ndërsa të rritet për produktet që konsiderohen luksoze.
“Ne besojmë se tatimi duhet të jetë progresiv duke rritur të hyrat nga tatimet në të ardhura. Ky nivel progresiv i tatimeve do të zbatohet në vite për të siguruar tranzicionin e nevojshëm të mbledhjes së të hyrave. Kështu sigurohemi se shtresa e varfër dhe e mesme do të paguajnë më pak tatime në qeverisjen e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.
E, shtresa e pasur, sipas Kurtit, do të kontribuojë më shumë drejt zhvillimit të vendit, në përputhje me të mirat që i gëzon nga shoqëria.
“Ne do ta njehsojmë pagën minimale. Nivelet e tatimit do të lidhen me pagën minimale. Progresioni i tatimeve fillon prej 0% për pagën minimale, në 5% për trefishin e pagës minimale, 10% për pesëfishin e pagës minimale, 20% për dhjetëfishin, dhe 30% për njëzetëfishin e pagës minimale e tutje. Ndërsa taksa korporative do të ketë margjinat e barabarta me taksën mbi të ardhurat”.
“Bashkimi Evropian lejon dhe rekomandon disa nivele të Tatimit në Vlerë të Shtuar. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vend, qeverisja jonë do të implementojë shkallëzimin e Tatimit në Vlerë të Shtuar në Kosovë në tri nivele. TVSH do të jetë e përjashtuar për prodhimet ushqimore bazë të jetës në Kosovë, pra për bukë, vaj, kripë, sheqer, qumësht, miell e libra. Ndërsa produktet që konsiderohen si më luksoze do të rriten deri në shkallë prej 20 për qind, në nivel me shumë shtete të BE-së”, ka thënë Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se qeverisja e tyre do të largojë TVSH-në në arsim, si dhe do të lehtësojë nga TVSH të gjitha aktivitetet arsimore me interes për shoqërinë.
Kurti ka thënë po ashtu se Kosova ka një shkallë prej 10 për qind tatimi në fitim, dhe se ky lloj tatimi do të rivlerësohet.
“Kjo politikë tatimore do të përdoret nga qeverisja jonë për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës. Me shkallëzimin Qeveria jonë do të ofrojë lehtësime tatimore për investimet që synojnë aktivitete prodhuese dhe hapjen e vendeve të punës. Çdo kompani që dëshmon riiinvestimin e fitimit për hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në prodhim, do të lirohet nga tatimi në fitim”.