Vetëvendosje angazhohet për lidhshmëri të arsimit me ekonominë

Shteti zhvillimor është përgjigja e duhur për problemin themelor që e ka Kosova me ekonominë, përkatësisht mungesën e prodhimit. Kur themi prodhimtari e mendojmë jo vetëm prodhimin bujqësor, por edhe atë zejtar e industrial”, ka thënë Kurti të shtunën në një ligjëratë në kolegjin Universum në Ferizaj. 

Lajme

24/05/2014 17:36

Kreu i VV-së ka shtuar se shteti zhvillimor e vë në dukje para së gjithash dhe mbi të gjitha progresin shoqëror. “Masa dhe dëshmia e vërtetë është progresi shoqëror, përkatësisht ngritja e mesatares sonë, si popullsi, si shtet”.

Ndërkaq, duke folur për investimet e huaja direkte, ai ka thënë se ato mund të vijnë vetëm pas një zhvillimi. “Investimet shkojnë në vendet tashmë të zhvilluara dhe nuk bëhen për ta zhvilluar një vend”.

Si pasojë e pabarazisë shumë të madhe, Kurti ka thënë se subjekti i tij politik propozon tatim progresiv. Sipas tij, kjo mënyrë tatimi është e domosdoshme për të ulur pabarazinë. “Ne nuk mund t’i trajtojmë njerëzit e pabarabartë në mënyrë të barabartë. Duhet të ndërhyjmë në mënyrë të pabarabartë duke synuar barazinë”, ka shtuar Kurti.

Në fund, kreu i VV-së ka thënë se ekonomia dhe arsimi shihen të ndarë prej njëri-tjetrit dhe ky është defekt i Kosovës së pasluftës. “Vetëvendosje angazhohet që t’i lidhë këto dy fusha bashkë, në mënyrë që të sigurohen më shumë vende pune”.