Veterani i harruar i UÇK-së që jeton në kontejner

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili la jetën e tij në Gjermaninë dhe iu bashkua luftës, sot jeton i vetëm në një kontejner në lagjen “Fusha e Pajtimit”, në Prishtinë. Përveç gjendjes së vështirë ekonomike-sociale, ai ka plot 15 vite që përballet edhe me probleme shëndetësore dhe pa përkrahje institucionale.

Lajme

17/08/2014 20:59

Asllan Bahtirit, i cili u bë ushtarë në zonën Operative të Pashtrikut, pas përfundimit të luftës, veteranit të UÇK-së, i mungojnë edhe gjërat elementare për jetesë.

Ai thotë se, kërkoi ndihmë nga komuna e Prishtinës dhe nga shoqatat e dala nga lufta, e që sipas tij, pothuajse asnjëherë nuk gjeti përkrahje nga ata. 

Bahtiri thotë se që nga lëndimi i unazave të shpinës, gjatë luftës, asnjëherë nuk arriti të shërohej.

Lëndimin thotë se e pësoi gjatë kohës kur po sillte armë nga Shqipëria, pasi me shpinën plotë armatim, rrëshqiti në gur dhe u rrëzua.

Ai thotë se gjithmonë dhimbjet janë duke iu rritur, e që në 2006 pati bërë një operacionin dhe se doktorët i patën thënë se ka nevojë të shkojë në banjë të Pejës, që të paktën dhimbjet t`iu largohen.

Bahtiri thotë se jeton me ndihma sociale dhe në disa raste i janë dhënë dru për ngrohje nga shoqatat e veteranëve të luftës.

Edhe pse gjithë veteranëve të luftës, u premtuar se u takon nga një banesë, në vendin ku janë të ndara për kategoritë e dala nga lufta, Asllani nuk e gëzoi atë.

Sipas Bahtirit, pasi që ai jeton i vetëm dhe numri i mangët i pikëve, ishin arsyet se pse ai nuk ishte përfitues i kësaj banese. Ndërsa, pretendon se ai ka më shumë se 20 pikë e se këto banesa i përfituan edhe ata të cilët i kishin nga 18.

Ai thotë se ka kushte më të vështira se Faton Klinaku, sekretarë i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, i cili sipas dokumentit që ai ofron është një nga përfituesit e banesave, të cilët janë të ndërtuara për veteranët të cilët përballen me kushte të vështira ekonomike-sociale. 

Ndërsa, tani, veterani Asllan Bahtiri, kërkon nga i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vetëm disa minuta t`i ndaj, për të dëgjuar hallet dhe vështirësitë me të cilat ai po përballet. (Kosovapress)