Veteranët të pakënaqur me Qeverinë dhe Kuvendin
Veteranët e UÇK’së janë të pakënaqur me institucionet e vendit, ku fajin kryesor ia vënë Qeverisë dhe Kuvendit. Ata thonë se Kushtetuta e Kosovës nuk po e lejon Kosovën që të funksionoi si shtet.
Lajme
Kosova shënoi dje gjashtë vjetorin e shpalljes si shtet i pavarur. Por, disa ditë para 17 Shkurtit, Organizata e Veteranëve të UÇK’së kishte paralajmëruar se do të bojkotonte festimet e pavarësisë.
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të UÇK’së, Faton Klinaku, thotë se institucionet e Kosovës i kanë lënë pas dore këtë shtresë të popullsisë. Ai thotë se për idealin që ata luftuan, sot nuk e kanë.
“Fajin për këtë gjendje e kanë institucionet e vendit, Kuvendi dhe Qeveria”.
“Tek ne më shumë respektohen antivlerat sesa vlerat”.
“Sot nuk e kemi atë që kemi dashur. Kushtetuta e Kosovës është jofunksionale dhe nuk lejon të funksionoi ky shtet”, ka thënë Klinaku për “Zëri”.
Ndërkaq, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK’së, thotë veteranët janë anashkaluar në të gjitha format e mundshme.
Ai shprehet se të paktën “ata që janë burim i kësaj lirie”, të parakalonin dje përkrah FSK’së, për nder të pavarësisë
“Ata janë anashkaluar në të gjitha format e mundshme. Jam i pakënaqur jo vetëm unë, por të gjithë veteranët me trajtimin që po u bëhet në institucionet e vendit”.
“Absolutisht krerët e vendit nuk kanë bërë asgjë. 15 vjet pas lufte, veterani i kësaj lufte të mos ketë asnjë të drejtë, kjo është e dhimbshme”.
“Madje, ata nuk kanë as të drejtë të parakalojnë në paradën për nder të pavarësisë së vendit. Veteranët do të duhej të ishin në rend të parë gjatë parakalimit, sepse falë tyre sot kanë parakaluar trupat e FSK’së, Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve”.
“Veteranët janë burim i kësaj lire edhe ata meritojë që së paku të parakalojnë për nder të pavarësisë”, ka thënë Qeriqi për “Zëri”.