Veteranët reagojnë ashpër ndaj pranisë së zyrtarit serb në Kosovë: Tentativë për propagandë antikombëtare

OVL-UÇK së bashku me Shoqatën e Invalidëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, kanë reaguar ashpër pas pranisë në Kosovë të Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi, i njohur për deklaratat e tij fyese ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës. Në reagimin e tyre, organizatat e dala…

Lajme

18/07/2025 21:58

OVL-UÇK së bashku me Shoqatën e Invalidëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, kanë reaguar ashpër pas pranisë në Kosovë të Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi, i njohur për deklaratat e tij fyese ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës.

Në reagimin e tyre, organizatat e dala nga lufta e kanë cilësuar këtë si një vazhdimësi të politikave të regjimit të dikurshëm serb, raporton lajmi.net

“Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri,” thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, prania e Popoviqit përfaqëson “mentalitetin e vartësve të Millosheviqit”, ndërsa theksojnë se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si ish-ministër i regjimit të atëhershëm, “vazhdon të përfaqësojë të njëjtën qasje politike”.

Organizatat u shprehën të vendosura që nuk do të qëndrojnë të heshtura ndaj asnjë fyerjeje që cenon sakrificën për liri dhe kujtimin e dëshmorëve e martirëve të Kosovës.

Postimi i plotë:

Reagim

Kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, reagojnë ashpër ndaj pranisë në Kosovë të ndihmësit të Petar Petkoviqit, i njohur për gjuhë fyese dhe urrejtje ndaj UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare.
Ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal.

Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri.

Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë./Lajmi.net/