Veteranët po luftojnë për mbijetesë

Ahmet Isufi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për gjendjen e rëndë të vetaranëve të luftës. Ai thotë se neglizhenca institucionale po fyhen këtë kategori që ka dhënë shumë për vendin. Nga skamja, Isufi thotë se bënë vetëvrasje 48 veteranë të luftës.

Lajme

19/01/2014 11:45

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, deklaroi sot se gjendja e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shumë e rëndë.

Ai tha në një konferencë shtypi se për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, 48 veteranë të luftës kanë bërë vetëvrasje.

Ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt ta sjellin në rend të ditës për miratim në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Veteranët e Luftës, i cili sipas tij, po neglizhohet e po zvarritet pa asnjë arsye.

“Kemi të bëjmë me një gjendje tejet të rëndë të veteranëve të luftë së UÇK’së”.

“15 vjet pas përfundimit të luftës ne nuk kemi një gjendje e cila do të përmirësonte kushtet e veteranëve të luftës së UÇK’së duke e pasur parasysh krejt sakrificën që kanë bërë veteranët, familjet e tyre dhe shoqëria në tërësi”.

“Kemi thirrur këtë konferencë për t’u zotuar se siç kemi vepruar në qeverisjen Haradinaj kur kemi themeluar departamentin e vlerave të luftës, se do të angazhohemi për nxjerrjen e Ligjit për Familjet e Dëshmorëve, për Invalidët e Luftës së UÇK’së dhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar për vendin, në mënyrë që të kemi një gjendje më të mirë dhe një satisfaksion për ditët që na i kanë sjell pikërisht kjo kategori e popullit tonë”.

“Do të përpiqemi që veteranët ta kenë Ligjin e tyre, i cili përcillet me benificione adekuate të cilat i meritojnë veteranët e luftës së UÇK’së”.

“Kemi pasur edhe protesta kohëve të fundit, kemi një shqetësim të madh të shoqërisë sonë lidhur me fatin e tyre. Dhe kemi, po ashtu, një gjendje shumë të rëndë në shoqëri sepse kemi diku rreth 48 veteranë të cilat kanë bërë vetëvrasje nga kushtet e vështira të cilat kanë ndikuar edhe në vendimin e tyre”.

Ahmet Isufi tha se miratimi i Ligji aktual për këto kategori, i cili ka kaluar në lexim të parë, tani po zvarritet e po neglizhohet pa asnjë arsye.

Ai kërkoi miratimin sa më të shpejt të këtij ligji.

“Ligji aktual i cili ka kaluar në leximin e parë është kthyer në komisionin funksional që të përgatitet me Amandamentime, duke hyrë edhe pjesa që ka qenë shumë e diskutueshme e femrave të dhunuara në Kosovë”.

“Tani edhe pse të gjitha afatet ligjore kanë kaluar ende nuk po procedohet në seancën plenare në mënyrë që të votohet ky Ligj”.

“Konsiderojmë në neglizhencë e tillë po e dëmton pjesën më vitale të shoqërisë e cila është angazhuar për ditët e lirisë që i ka Kosova”.

“Mendojmë se me këtë neglizhencë që po i bëhet po fyhet kjo kategori që ka dhënë shumë për vendin dhe po injorohet në shkallët më të skajshme”.

“Prandaj, kërkesa e jona është që Ligji të vjen sa më shpejt në seancën plenare, në mënyrë që të kemi statusin e garantuar të veteranëve të luftës së UÇK’së, që ata të gëzojnë të drejtat e tyre duke pasur parasysh sakrificën që kanë bërë”.

“Pozita e tyre e vështirë, është rënduar edhe më shumë nga injorimi që iu është bërë dhe po vazhdon t’iu bëhet veteranëve nga qeveria aktuale”.

“Sa i përket ligjit aktual, i aprovuar në leximin e parë, e them me plot përgjegjësi se ky ligj nuk iu përgjigjet nevojave dhe kërkesave të veteranëve të UÇK-së dhe se arsytimet e Qeverisë se nuk mund të mbulojë koston e ligjit me fondet aktuale, tregojnë pazotësinë e kësaj qeverie për të trajtuar një çështje shumë të ndieshme dhe shumë strategjike për vendin”.

Për AAK-në është e papranueshe neglizhenca dhe papërgjegjësia e skajshme ndaj kësaj kategorie të shoqërisë sonë, që ka dhënë shumë për lirinë dhe ardhmërinë e Republikës së Kosovës. Është e pajustifikueshme që në rethanat kur kemi shtetin e pavarur dhe institucionet pa UNMIK, qeveria dështon në realizimin e një të drejte themelore për luftëtarët e lirisë”.