Vetëm në vitin 2016 mund të diskutohet për liberalizim të vizave
Korrupsioni, krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore të vendit, vlerëson shoqëria civile në Kosovë. Ndërkaq, vetëm në vitin 2016, sipas tyre, mund të bëhet diçka konkrete sa i përket liberalizimit të vizave.

Lajme
Plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave është duke shkuar me një tempo të ngadaltë.
Kështu tha Ariana Qosja-Mustafa nga KIPRED, e cila prezantoi Baromentrin për Sundimin e Ligjit në kuadër të projektit “Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë dhe për integrim të mëtejshëm evropian të Kosovës”.
Qosja-Mustafa tha se bazuar në këtë tempo, skenari më i mirë është që, vetëm në vitin 2016 pritet të ketë diçka reale në aspektin e liberalizimit të vizave.
“Sipas tempos që ne e kemi vërejtur në zbatim, viti 2016 do të jetë në skenarin më të mirë, viti që ne mund të presim diçka më reale, në aspektin e liberalzimit të vizave. Edhe pse ka plotësime të shumta të kritereve, prapë mbesin shumë sfida dhe në zbatim të ligjeve dhe në praktikë por dhe me ndërtim të institucioneve, pavarësinë e tyre, që ata me mundur të kryejnë punën e vet në këtë drejtim”.
Ajo po ashtu tha se edhe mos krijimi i institucioneve Kuvendit dhe Qeverisë, është duke ndikuar drejtpërdrejt dhe është sfidues në zbatimin e kërkesave të BE-së për liberalizmin e vizave. Ndërsa, si sfidë tjetër, ajo përmendi edhe mos gatishmërinë e institucionet lokale dhe BE-në, që të merren me rastet e korrupsionit të profilit të lartë.
Qosja-Mustafa, duke prezantuar të gjeturat e raportit tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidat më të mëdha të Kosovës.
Ajo po ashtu pohoi se edhe pse ka iniciativa, ligje dhe mekanizma, problemi qëndron tek aspekti i vullnetit politik, i cili përveçse është deklarativ, nuk ka interesim në disa sfera, që institucionet të veprojnë drejtpërdrejtë.
“Nëse e marrim çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, aty e kemi sfidën më të madhe. Ekziston vullneti deklarativ, mirëpo në anën tjetër nuk ka vullnet të mjaftueshëm për zbatim, sepse, nëse do të kishim institucione të forta që do ta luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin, atëherë radha do të iu vinte edhe njerëzve që janë në qeverisjen e tanishme, apo ata që janë në një elitë politike me të përfaqësuar në Kosovë”.
“Në përgjithësi, sfida më e madhe që e kemi parë ne, është zbatimi i ligjit dhe zbatimi i politikave. Edhe aty ku ka ligje, mendojmë që ende ka mangësi, për arsye se nuk është garantuar në mënyrë të mjaftueshme pavarësia e institucioneve, të cilat duhet të merren me hetime. Këtu mendojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës, e cila vepron me disa politika dhe plane të aksionit, mirëpo ka presion të jashtëzakonshëm. Por, në anën tjetër, nuk mund të ofrojë rezultate”, tha Mustafa.
Ndërkaq, Veton Mujaj, drejtor ekzekutiv i Syri Vizionit, tha se objektivat e këtij projekti kanë të bëjnë kryesisht me përfshirjen e kërkesave të BE-së, për qeverisje të mirë dhe integrimin e mëtutjeshëm evropian të Kosovës. Më këtë projekt, ai tha se do të bëhet monitorimi i gjashtë fushave kryesore të sundimit të ligjit në Kosovë, si demokracia, funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit, parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit me fokus rendin publik dhe sigurinë.
Ndërsa, rekomandimet për akteret relevant vendor dhe ndërkombëtar, janë zbatimi i ligjeve që mbetet sfida më e madhe, alkimi i fondeve, i mbështetjes dhe ngritjes së kapaciteteve, specializimi i gjykatësve dhe prokurorëve, që të merren me këto raste, si dhe dyfishimi i buxhetit për Prokurorinë Speciale, në mënyrë që të garantohet paanshmëria dhe pavarësia e organeve të hetuesisë.
Ky barometër për herë të parë është vënë sot në funksion dhe i cili ka përfshirë periudhën e hulumtimit Korrik-tetor 2014, raporton Kosovapress.