Vetëm me ligje të Kosovës

Edita Tahiri u thotë Kryetarëve të komunave veriore se konstituimi i asambleve komunale atje duhet të bëhet vetëm me ligje të Kosovës. Nëse nuk përfillin ligjet, ata nuk do të pranohen si struktura legale. Ajo përmend 12 janarin si afat për konstituim.

Lajme

08/01/2014 08:59

Zëvendës Kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se afati i inaugurimit të asambleve të katër komunave veriore të Kosovës skadon të dielën, më 12 janar.

Tahiri, e cila është edhe Udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me serbinë që po zhvillohen në Bruksel, është shprehur se Kryetarët e Komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq e kanë të qartë se ky proces duhet të bëhet sipas ligjeve të Kosovës.

“12 janari është data e fundit për inaugurimin e organeve të reja komunale për komunat të cilat tashmë i kanë shtyrë inaugurimet” , ka thënë Tahiri në intervistën për “Epokën e Re”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka dhënë të gjitha udhëzimet për t’i respektuar ligjet e Kosovës në procesin e konstituimit të komunave, por edhe në funksionimin e tyre”.

“Po ashtu, ua kemi bërë të qartë se edhe marrëveshja e Brukselit e nënvizon qartë, se procesi i zgjedhjeve dhe i funksionimit të komunave bëhet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Andaj të gjithë kryetarët e komunave dhe të tjerët që janë zgjedhur e kanë për obligim t’i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës”.

Tahiri ka thënë se nëse nuk bëhet inaugurimi dhe konstituimi i kuvendeve komunale në veri deri më 12 janar, institucionet e Kosovës do të veprojnë konform Kushtetutës.

“Nëse ata nuk i respektojnë ligjet e Kosovës nuk do të pranohen si struktura legale komunale”.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka kërkuar nga kryetarët e rinj ta marrin seriozisht mesazhin e Bashkimit Europian karshi inaugurimit të kuvendeve komunale në Veri.

Tahiri u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës se dialogu në Bruksel ka degraduar. Ajo ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është duke dhënë rezultate.