Vetëm edhe 9 vendvotimeve mbesin për t’u rinumëruar, KQZ tregon kur përfundon procesi

Është duke vazhduar proces i rinumërimit të vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Gjatë ditës së parë të rinumërimit është arritur që të rinumërohen 176 nga gjithsej 185 vendvotime për të cilat KQZ vendosi rinumërim. Pjesa e mbetur apo 9 vendvotime të mbetura pritet që të rinumërohen gjatë paradites së sotme, me ç’rast do…

Lajme

19/06/2026 09:14

Është duke vazhduar proces i rinumërimit të vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë ditës së parë të rinumërimit është arritur që të rinumërohen 176 nga gjithsej 185 vendvotime për të cilat KQZ vendosi rinumërim.

Pjesa e mbetur apo 9 vendvotime të mbetura pritet që të rinumërohen gjatë paradites së sotme, me ç’rast do të përmbyllet edhe procesi i rinumërimit, sipas vendimit që mori KQZ-ja, transmeton lajmi.net.

Sipas këtij vendimi, 185 vendvotimet e rinumëruara përbëjnë 7.41% të gjithsej 2,498 vendvotimeve të rregullta ku është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Vendimi i KQZ-së mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e QNR-së. Në këtë akt nënligjor parashihet që, pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ të vlerësojë situatën dhe sipas nevojës të vendosë për rinumërim. Kjo masë kontrolli është paraparë për të adresuar problemet e evidentuara në disa Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, me qëllim sigurimin e saktësisë së procesit”, tha Elezi.

Sipas komunave, vendvotimet e rinumëruara ndahen si më poshtë: Deçan (4), Gjakovë (10), Gllogoc/Drenas (5), Gjilan (9), Dragash (4), Istog (4), Kaçanik (3), Klinë (5), Fushë Kosovë (5), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (7), Leposaviq (2), Obiliq (3), Rahovec (5), Pejë (9), Podujevë (7), Prishtinë (18), Prizren (16), Skënderaj (5), Shtime (3), Shtërpcë (2), Suharekë (6), Ferizaj (10), Viti (5), Vushtrri (6), Zubin Potok (2), Zveçan (2), Malishevë (5), Junik (1), Mamushë (1), Hani i Elezit (1), Graçanicë (3), Ranillug (1), Partesh (1), Kllokot (2) dhe Mitrovicë e Veriut (2)./Lajmi.net/