Vetëm 5 mijë nga 43 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara shkojnë në shkollë
Avokati i Popullit ka dalë me rekomandime për Ministrinë e Arsimit dhe Komunat e Kosovës për çështjen e nivelit të arsimit në vend. Në raportin mbi 50 faqesh përfshihen edhe fëmijët me nevoja të veçanta ku, sipas tij, janë ende larg përfshirjes së të paktën 50 për qind të tyre në arsim Avokati i Popullit…
Lajme
Avokati i Popullit ka dalë me rekomandime për Ministrinë e Arsimit dhe Komunat e Kosovës për çështjen e nivelit të arsimit në vend. Në raportin mbi 50 faqesh përfshihen edhe fëmijët me nevoja të veçanta ku, sipas tij, janë ende larg përfshirjes së të paktën 50 për qind të tyre në arsim
Avokati i Popullit ka ndarë kohë për të drejtat e fëmijëve. Ky institucion ka dërguar rekomandime për Ministrinë e Arsimit dhe Komunat me qëllim që të merren masa për përmirësimin dhe promovimin e të drejtave të tyre në arsim, raporton Dukagjini.
Një fokus të veçantë, Avokati i Popullit në raportin e fundit të publikuar, u ka kushtuar fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Sipas këtij institucioni, është ende larg përfshirja e të paktën 50 për qind prej këtyre fëmijëve në arsim.
“Fëmijët me aftësi të kufizuara janë ende duke përjetuar vështirësi serioze dhe përballen me pengesa për gëzimin e plotë të drejtave të njeriut të përcaktuara me ligj. Fëmijët me aftësi të kufizuara i përkasin njërit prej grupeve më të rrezikuara të fëmijëve. Situata e tyre është përkeqësuar edhe më tepër nga pandemia”.
Në këtë raport kritikohet Ministria e Arsimit për mosveprime konkrete.
“Sot nuk ka rezultate që tregojnë për ndonjë kurrikulë të hartuar për fëmijët me nevoja të veçanta. Megjithatë, aktet nënligjore të MASHTI-it parashikojnë plane arsimore individuale për fëmijët me nevoja të veçanta si një dokument zyrtar për planifikimin e procesit mësimor të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe për mbështetjen e përparimin e këtyre fëmijëve”.
Situatën e ka komentuar njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja i cili thotë se duhet të bëhet më shumë për këta fëmijë.
“Qoftë në përkrahje në infrastrukturë, qoftë në resurset humane por më e rëndësishmja në një cilësi më përfshirëse për këtë kategori të fëmijëve duke ia siguruar atë shkollimin cilësor e të barabartë si çdo bashkëmoshatar i tyre”, deklaroi Qehaja.
Në ndërkohë, një studim i UNICEF thotë se në Kosovë janë 43 mijë nxënës me nevoja të veçanta, ndërsa prej tyre vetëm 5 mijë janë të përfshirë në arsimin institucional të ofruar nga shkollat e rregulla.