Vetëm 44 anesteziologë në gjithë QKUK-në, ndonëse nevojiten 105

Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha. Një nga problemet shqetësuese është edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë nga sistemi publik. Mungesë të profesionistëve mjekësor po vërehet dukshëm tek Klinika e Anesteziologjisë. Në lidhje me këtë çështje ka folur drejtori i kësaj klinike, Gazmend Spahija. Sipas tij, në Klinikën e Anesteziologjisë janë…

Lajme

02/06/2025 09:09

Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha.

Një nga problemet shqetësuese është edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë nga sistemi publik.

Mungesë të profesionistëve mjekësor po vërehet dukshëm tek Klinika e Anesteziologjisë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur drejtori i kësaj klinike, Gazmend Spahija.

Sipas tij, në Klinikën e Anesteziologjisë janë 44 anesteziologë të punësuar.

Ai thotë se ky numër është i vogël për Klinikën, sepse nevojitën rreth 105 anesteziolog.

“Aktualisht në Kliniken e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në QKUK janë të punësuar 44 anesteziolog. Ka mungesë të konsiderueshme të anesteziologëve, në kliniken ton sipas planifikimeve tona në total duhen të jenë rreth 105 anesteziolog”, shprehet Spahija.

Drejtori i kësaj klinike është shprehur për “Front Online” se mungesa e anesteziologëve është sfida më e madhe.

“Sfida me e madhe është numri i vogël i anesteziologëve, volumi i shtuar i punëve me hapjen e shërbimeve të reja edhe në njësit qe më parë nuk kanë kërkuar asistencë të anesteziologut”, deklaroi Spahija.

Ai ka treguar se cilat janë arsyet që çojnë mjekët deri në largimin e punës.

“Oferta më e mirë e pagës disa herë( deri në shtatë herë) në sektorin privat se sa në QKUK dhe volumi më i vogël i punës shtyhen anesteziologët ta lëshojnë punën. Anesteziologët-specialistët kryesisht largohen për në sektorin privat në Kosovë. Mungesa e anesteziologëve është evidente pasi që duhet të angazhohemi në 40 njësi punuese dhe duke menaxhuar tri njësi intensive dhe në pesë njësi ku kryhen rastet emergjente”, u shpreh Spahija.

Ndryshe, të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2024 janë  larguar nga vendi 109 mjekë, ndërsa në vitin 2023, 167 mjekë, në vitin 2022, 163 dhe në vitin 2021, nga Kosova janë larguar 124 mjekë.