Vetëm 31% e minoriteteve arrijnë shkollimin e mesëm

Rrugëtimin drejt dijes, shumë fëmijë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptias në Kosovë janë duke e braktisur. Nxënësit e minoriteteve nuk e vazhdojnë sidomos shkollimin e mesëm. Një gjë të tillë e ka konstatuar Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit. “Frekuentimi i arsimit të mesëm nga fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë mbetet shumë më i…

Lajme

15/11/2025 23:20

Rrugëtimin drejt dijes, shumë fëmijë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptias në Kosovë janë duke e braktisur.

Nxënësit e minoriteteve nuk e vazhdojnë sidomos shkollimin e mesëm.

Një gjë të tillë e ka konstatuar Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit.

“Frekuentimi i arsimit të mesëm nga fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë mbetet shumë më i ulët – vetëm 31% e tyre arrijnë arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me 87% në nivel kombëtar”.

Se fëmijët e minoriteteve po i braktisin bankat shkollore, e thotë edhe drejtori i shkollës “Selman Riza” në Fushë Kosovë, Esad Simnica.

Mirëpo sipas tij, viteve të fundit numri i nxënësve që kanë lënë shkollën është më i ulët.

“Numri i braktisjes ka rënë dukshëm, jo në atë masën që dëshirojmë ne, mirëpo krahasuar me vitet e kaluara, numri i nxënësve braktisës po bie. Është e vërtetë që në bazë të informacioneve që kemi, shkëputja e klasës së nëntë dhe regjistrimi i klasës së dhjetë, edhe aty ka një çalim të madh që disa nxënës nuk e vazhdojnë mësimin, qoftë për aspektin ekonomik apo edhe martesave të hershme”, tregon Simnica për tëvë1.

Por cilët janë faktorët që ndikojnë që këta fëmijë të mos ndjekin shkollimin?

“Këto statistika e paraqesin një realitet të hidhur në arsimin e Kosovës dhe kjo vjen edhe si rezultat i gjendjes së përgjithshme sociale, ekonomike në të cilën gjinden minoritetet e caktuara, e veçanërisht, minoriteti romë, ashkali dhe egjiptas, të cilët në mungesë të kushteve dhe vetëdijes nuk i dërgojnë fare fëmijët në shkollimin e mesëm e mos të flasim për shkollimin e lartë”, tregon eksperti i arsimit, Argjend Osmani.

Në raportin e Progresit, sa i përket fushës së arsimit, problematikë është paraqitur edhe mbyllja e shumë qendrave mësimore që ofronin mbështetje shtesë edukative dhe psikosociale, e gjithë kjo për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe institucionale.