Veshjet “Made in Kosova” depërtojnë edhe në botë

Për herë të tretë po mbahet Konventa e Veshmbathjeve të Kosovës, që ka për qëllim për të mbështetur zhvillimin dhe rritjen e kësaj industrie në Kosovë.

Lajme

22/10/2019 11:01

Në këtë Konventë është bërë ekspozita e veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë nga 15 kompani vendore duke përfshirë stilistë individual dhe shtëpi të modës, dhe një sfilatë mode e cila do të shfaqë modelet më të fundit të veshmbathjeve të krijuara në Kosovë.

Në hapje të Konventës, Bardha Sadrija, kryetare e Bordit Drejtues të Shoqatës së veshmbathjeve të Kosovës, tha se si shoqatë mbështesin bizneset e kësaj lëmie.

“Që nga viti 2015 kur u themelua shoqata kemi bashkëpunuar me organizata të ndryshme për trajnime. Kemi dhënë përkrahje në promovimin e bizneseve. Duke filluar nga 2020 KAMA do të hyjë në një fazë të re. Duhet të nxisim debatin e impaktit në mjedis të kësaj industrie”.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, tha se duhet një bashkëpunim më i madh i bizneseve të kësaj lëmie nga Kosova dhe Shqipëria.

“Ky treg në Shqipëri është disa herë më i zhvilluar se në Kosovë. Shqipëria eksportin kryesor e ka të kësaj lëmie. Të shikojmë mundësinë për të pasur investime të përbashkëta. Ne do të sjellim përfaqësues të bizneseve për të komunikuar me bizneset në Kosovë. Ne do bëjmë gjithçka për të ulur barrierat, mallrat e Kosovës dhe Shqipërisë të kenë tarifa sa më të ulëta” , tha ai.

Matthew Cullinane, ushtrues i  drejtorit të Zyrës së Zhvillimit ekonomik të USAID, tha se brendet ‘Made in Kosova’ po depërtojnë gjithandej nëpër botë për shkak të cilësisë së mirë.

“Kjo konferencë është shumë e bukur dhe jemi të lumtur që po marrin pjesë dizajnerët e Kosovës. Vetëm muajin e fundit  tri personalitete të botës kanë veshur dizajne të kosovarëve. Brendi ‘Made in Kosova’ kanë depërtuar gjithandej në botë tregon për cilësinë. Kjo konventë vjetore ka mundësuar që të bashkohen çdo vit dhe të diskutohet për veshmbathjet”, tha ai, raporton kp.

Nasrin Pourghazian, kryetare e bashkëpunimit për zhvillim në ambasadën e Suedisë në Prishtinë tha se herën tjetër kur të vjen në Kosovë dëshiron të shoh se një prej mesazheve kryesore është moda.