Veseli tregon se cilat janë prioritetet e tij

(I plotësuar)- Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se ai nga diskutimi me qytetarët e di shumë mirë se çka i duhet vendit. Në këtë pikë ai ka renditur prioritetet e tija.

Lajme

26/03/2017 17:19

“Qëllimet e mija për të cilat jam në politikë janë të qarta :

Kosova shtet me ekonomi prodhuese, e jokonsumuese.

Kalimi nga vend supermarketesh, në një vend fabrikash.

Nga një vend fermerësh të vegjël, që mezi mbijetojnë, në një vend që konkurron në tregjet e huaja me prodhimet e veta bujqësore.

Nga një vend, ku rritja ekonomike vjen nga investimet publike, në një vend ku zhvillimi buron nga sektori privat e minerar.

Nga një vend, ku roli i gruas në ndërmarrësi shihet me mëdyshje, në një vend ku ndërmarrësia e tyre transformon jo vetëm familjen në emancipim dhe zhvillim, por tërë shtetin tonë!

Nga një vend, ku shumë të rinjë enden rrugëve të papunë, në një vend ku të diplomuarit e rinjë krijojnë punë dhe vende pune!”, deklaroi Veseli.

Veseli: Kosova mund të bëjë edhe më shumë (Drejtpërdrejt)

(I plotësuar)-Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë gjatë fjalimit të tij në Konventën festive se në 9 vite pavarësi Kosova ka pasur një progres të jashtëzakonshëm por sipas tij, shteti i ri mund të bëjë shumë.

Ai ka përmendur ndërtimin e infrastrukturës moderne, autostradat, aeroport modern, ndërtimin e qindra shkollave, çerdheve, spitaleve, ngritjen e pagave të mësimdhënësve, mjekëve e gjithë punonjësve publikë.

“Por, të dashur miq, a është e gjithë kjo e mjaftueshme? A mundemi të bëjmë më shumë?! unë synoj zhvillim më të shpejtë për vendin tonë. Unë i kam kuptuar mirë shqetësimet e qytetarëve dhe kam vendosur të mos pres!”, ka deklaruar Veseli.

Veseli: Nuk e mendoja se një ditë do të bëhesha politikan

Kadri Veseli nuk e kishte pasur kurrë dëshirë të bëhej politikan. Ai dëshironte të behej mjek ose inxhinier. Por rrethanat thotë se e detyruan atë ti hyjë kësaj rruge.

“Nuk e mendoja se një ditë do të bëhesha ushtar apo politikan.

Por rrjedha e jetës na çoi para sfidave të cilat vendosëm t’i përballojmë me guxim”, tha ai para simpatizantëve në Konventën festive të PDK-së. Ai tha se mësimi që ka marrë nga jeta është mbështetja që duhet dhënë njëri-tjetrit./Lajmi.net/