Veseli në Forumin e Investitorëve Global paraqet potencialet që i ofron Kosova

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar potencialet e Kosovës në hapjen e Forumit Botëror të Investitorëve.

Lajme

18/02/2019 10:50

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli , ka marrë pjesë në hapje të Forumit Botëror të Investitorëve “World Business Angels Investment Forum” (WBAF) i cili po mbahet në Stamboll të Turqisë, e ku po marrin pjesë liderë të vendeve të ndryshme të Ballkanit, Evropës dhe Afrikës, transmeton lajmi.net.

Kreu i Kuvendit të Kosovës u prezantua nga organizatorët e forumit si njëri prej liderëve më inovator në Ballkan, i cili ka promovuar dhe mbështetur të rinjtë në fushën e teknologjisë informative në Kosovë.

“Ne synojmë të promovojmë një zhvendosje nga kreditë në financimet e orientuara nga investimet për sipërmarrjet dhe “startapet”, duke reflektuar rëndësinë e  ndarjes së riskut ndërmjet sipërmarrësve dhe institucioneve financiare. Në një kohë kur bota është më e ndërlidhur se kurrë, ne kemi mundësi të ndihmojmë më shumë njerëz të kenë qasje në kapital dhe burime e rrjete që ata kanë nevojë për sukses”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka folur para të pranishmëve për potencialet e jashtëzakonshme që ofron Kosova dhe të rinjtë e saj me ide inovative të cilët tashmë janë dëshmuar për suksese.

“Sot, po u bëj thirrje qeverive, kompanive, organizatave dhe individëve që të vizitojnë Kosovën dhe të gjejnë mundësi partneriteti me kosovarët inovatorë. Ka të rinj të shkëlqyeshëm, gra të palodhura dhe mendimtarë të rinj nga komunitetet anembanë botës, të gatshëm për të bërë ndryshime. Së bashku, mund të ndihmojmë të gjithë ata që kanë kreativitet. Unë angazhohem të punoj shumë për ndërtimin e një mjedisi të fortë dhe të qëndrueshëm për sipërmarrësit dhe inovatorët”, tha Veseli. /Lajmi.net/