Veseli letër publike opozitës: Ejani nesër në Kuvend për ratifikimin e MSA-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u ka shkruar letër publike, partive opozitare të përfaqësuara në Kuvend.

Lajme
Në këtë letër, Veseli i fton deputetët e VV-së, AAK-së dhe Nismës, që të marrin pjesë në seancën e së hënës, ku do të ratifikohet MSA-ja.
Ai thotë se “përkundër dallimeve politike”, deputetët duhet të jenë të bashkuar në “projektin shtetërorë të integrimit në familjen evropiane”, duke thënë se dita e hënë duhet të jetë “ditë uniteti”.
Më poshtë mund të lexoni të plotë letrën e Kadri Veselit.
Letër publike
Drejtuar partive opozitare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga rradhët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma për Kosovën.
Sikurse jeni në dijeni, nesër do të kemi një seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës. Në këtë seancë do të ratifikohet Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit e nënshkruar të martën e kaluar në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Me besimin e plotë se të gjithë pajtohemi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm pozitiv dhe konkret të vendit tonë në rrugën e integrimeve evropiane, si dhe me besimin e plotë se, përkundër dallimeve politike që kemi, e që janë legjitime në kontekstin e demokracisë, ne të gjithë bashkohemi rreth projektit tonë shtetëror të integrimit në familjen e demokracive evropiane, ju ftoj që nesër të merrni pjesë në seancën kushtuar ratifikimit të MSA-së dhe të jepni kontributin tuaj në ecjen përpara të Republikës së Kosovës, ashtu sikurse e keni dhënë edhe në shumë e shumë raste dhe momente tjera, gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.
Të nderuar deputetët të Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma për Kosovën.
Nesër duhet të jetë ditë e unitetit, ditë e bashkëpunimit dhe e veprimit të përbashkët, ditë kur të gjithë ne, që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojmë, para qytetarëve dhe para botës, se në veprimin tonë politik, mbi të gjitha, udhëhiqemi nga interesat madhore të vendit tonë dhe nga vizioni i përbashkët që kemi për të ardhmen e vendit tonë.
Ejani, të bëjmë së bashku historinë tonë.
Me respekt,
Kadri Veseli,
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.