Veseli e Limaj, “takohen” në Prekaz

Kryeparlamentari i Kosovës, njëherësh zëvendës/kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, mund të takohen të premten në Prekaz, në ditën e dytë të manifestimeve vjetore që bëhen për Epopenë e UÇK-së.

Lajme

06/03/2015 09:19

Veseli dhe Limaj, sipas agjendës, do të bëjnë homazhe në të njëjtën kohë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Dy ish bashkëpartiaket, Veseli dhe Limaj, kanë paraparë që homazhet në Kompleksin Memorial në Prekaz t’i bëjnë në ora 11:00.

Ndërkohë dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, 6 mars, vazhdon me homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në komunat e Republikës së Kosovës.

Në ora 18:00, po më 6 mars, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, do të mbahet Akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.