Veseli: Besimi i partisë është i shenjtë për mua, do t’i prij luftës kundër korrupsionit e nepotizmit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka folur pas besimit të dhënë nga Këshilli Drejtues i partisë së tij për kandidat për kryeministër.

Lajme

23/08/2019 21:03

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se besimi i dhënë nga partia është i shenjtë për të, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se do t’i prijë luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

“Besimi që sot më dha PDK-ja dhe që nesër do të ma japin qytetarët e Kosovës është i shenjtë për mua. Si kandidat për kryeministër i zyrtarizuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së, nga gra dhe burra që e kanë udhëhequr luftën për liri, procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimin, ju premtoj se do t’i prij luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Ndryshimin e shumëpritur nga qytetarët e kemi nisur nga vetvetja, duke vendosur një standard të ri etik”, ka shkruajtur ai.

Veseli është zotuar se ka guximin dhe vendosmërinë për ta bërë një gjë të tillë

“Unë e kam guximin dhe vendosmërinë për ta bërë këtë. Ndryshimi fillon me luftën kundër korrupsionit, për të krijuar mundësi të barabarta, për t’i mbajtur të rinjtë këtu dhe për ta ndërtuar një ekonomi të fuqishme. Këtë nuk mund ta bëj i vetëm dhe kam nevojë për ju. Bashkohuni me mua dhe së bashku ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin dhe qytetarët tanë!”, përfundoi ai. /Lajmi.net/