Vërshimet e mundshme, kërkohet koordinim nga institucionet përgjegjëse në situata emergjente

Bazuar në rastet e vërshimeve në disa qytete evropiane, vlerësohet se Kosova duhet të jetë në gjendje gatishmërie për çdo rast emergjent. Derisa nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave nuk dhanë përgjigje për kapacitetet e tyre, kërkohet që institucionet përgjegjëse për reagim të jenë në koordinim të plotë mes vete. Disa qytete evropiane u përballën…

Lajme

16/09/2024 23:22

Bazuar në rastet e vërshimeve në disa qytete evropiane, vlerësohet se Kosova duhet të jetë në gjendje gatishmërie për çdo rast emergjent.

Derisa nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave nuk dhanë përgjigje për kapacitetet e tyre, kërkohet që institucionet përgjegjëse për reagim të jenë në koordinim të plotë mes vete.

Disa qytete evropiane u përballën këtë fundjavë me gjendje të jashtëzakonshme, shkaku i vërshimeve të mëdha.

Për pasojë pati dëme në njerëz dhe dëme materiale.

Nisur nga kjo, vlerësohet se Kosova duhet të përgatitet për vërshime të mundshme.

“Nëse Evropa vërshohet në mënyrë të tillë, ne duhet ta dimë se tek në mund të ndodhin dëme shumë më të mëdha, për arsye se infrastruktura është shumë më e dobët, shumë më e keqe dhe shumë jo adekuate. Sidomos ndarja e kanalizimeve për reshje të shiut, do të thotë për ujërat e shiut, është i domosdoshëm në çdo qytet dhe fshat, si dhe ndërtimet me leje”, thotë Ilir Morina, ish-drejtor në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, nuk kanë qenë të qasshëm për kapacitetet dhe përgatitjet për reagim në situata të tilla.

E rëndësishme për kategoritë emergjente, vlerësohet të jetë koordinimi mes tyre.

“Institucionet përgjegjëse tek ne, duhet që gjithmonë të jenë në koordinim dhe të marrin masat e duhura, qoftë nga identifikimi i fatkeqësive të mundshme apo potenciale në Kosovë, pastaj nga mjetet dhe pajisjet, si dhe masat parandaluese kur të kemi kësi lloj të fatkeqësive natyrore qoftë vërshime, qoftë zjarre apo rrëshqitje të dheut”, thotë Tahir Ahmeti, ekspert i emergjencave.

Kosova këtë vit, u përballë dy herë me vërshime në disa pjesë të territorit të saj.