Verona mohon fyerjet raciste ndaj Kessie

Skuadra e Veronës ka mohuar akuzat se tifozët e tyre kanë bërë thirrje raciste.

Sport

16/09/2019 15:00

Hellas Verona ka qenë mbrëmë nikoqire e Milan, për ndeshjen që ishte e vlefshme për xhiron e tretë në Serie A.

Ndeshja i takoi skuadrës së Milan, me rezultatin minimal 0:1, por skuadra mysafire është ankuar për fyerje raciste në drejtim të lojtarit të tyre, Franck Kessie.

Një gjë të tillë e ka mohuar skuadra e Veronës, e cila përkundrazi ka kërkuar respekt.

“Vërshëllimat për Kessie? Kritikat për Donnarumma? Ndoshta dikush është ndjerë keq nga zhurma e krijuar prej tifozëve” thuhet në postimin e skuadrës në ‘Twitter’, transmeton lajmi.net.

“Çfarë kemi dëgjuar? Vërshëllima  dhe duartrokitje në anën tjetër për gladiatorët tanë. Ne nuk bimë pre e këtyre shpifjeve. Respekt për Veronën dhe veronasit” thuhet tutje në deklaratën e skuadrës.

Kjo është hera e dytë që skuadra e Veronës akuzohet për racizëm kundër ‘Rossoneri’. Ata ishin gjetur fajtor në vitin 2014 për fyerje ndaj Sulley Muntari. /Lajmi.net/