Veriu varet nga Serbia

Adnan Merovci konsideron se mbarëmbajtja e zgjedhjeve në Veri do të varet nga Serbia. Ai nuk pret pjesëmarrje të madhe të serbëve më 3 nëntor në Veri. Thotë se me rritjen e numrit të vëzhguesve, do të ketë manipulime më të vogla.

Lajme

23/10/2013 06:00

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, zgjedhjet e 3 nëntorit për herë të parë pritet të mbahen në tërë territorin e Kosovës.

Mirëpo, sulmet me bomba që kanë ndodhur kohëve të fundit në pjesën e veriut të Mitrovicës, janë tregues i qartë që serbët ekstremistë të asaj pjesë janë kundër këtij procesi, pavarësisht thirrjeve të Beogradit zyrtar për të dalë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ish Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (SKQZ), Adnan Merovci, është skeptik sa i përket daljes në zgjedhje të serbëve të Veriut.

Ai në një intervistë për lajmi.net është shprehur se gjithçka do të varet nga Serbia se sa është e interesuar për t`i mbajtur zgjedhjet edhe në Veri.

“Varet se sa Serbia është seriozisht e interesuar për këtë. Ne nuk duhet harruar se Serbia ka ditur edhe të luajë lojëra të ndyra, duke luajtur role të dyfishta”, thotë Merovci.

“Incidentet e fundit janë përpjekje e grupeve ekstremiste për t’i zbehur zgjedhjet. Mendoj së në Veri do kemi zgjedhje me pjesëmarrje dhe rezultate të brishta. Do të thotë në limitet e notës kaluese”.

Një hulumtim i UNDP’së i bërë publik të martën thotë se rreth 16 përqind e serbëve në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës (Zvecan, Leposavic, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut) janë të gatshëm të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Por, Merovci mendon se ende është herët të flitet për parashikime të pjesëmarrjes.

“Tani për tani nuk mund të flitet për përqindje sepse është shumë vështirë të parashikohet pjesëmarrja e tyre”.

“Ligji për zgjedhje nuk parasheh një prag të pjesëmarrjes, do të thotë çfarëdo përqindje e pjesëmarrjes nuk e rrezikon legjitimitetin legjislativ te tyre”.

Pavarësisht se KQZ ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve javën e kaluar, PZAP vazhdon të merret ende me ankesat e serbëve të refuzuar edhe pse një gjë e tillë është dashur të përfundojë më datën 10 tetor.

Sipas Merovcit, KQZ deri më tani është dashur të përfundojë të gjitha procedurat sa i përket listës përfundimtare  të votuesve.

“KQZ deri më tani ka filtruar aplikacionet e serbëve dhe mendoj se ajo tanimë ishte dashur të jetë e perfunduar. Ka një afat ligjor që e përcakton këtë”.

Sipas Merovcit, numri i vëzhguesve të certifikuar deri më tani tregon se mundësitë e manipulimit do të jenë më të vogla.

“Duke pasur parasysh numrin e vëzhguesve tashmë të certifikuar, mendoj se do te kemi një vëzhgim solid dhe hapësirat për manipulime do të jenë më të vogla”, thotë Adnan Merovci për lajmi.net.